Kandidatët zyrtarisht të nominuar për Kryeministër, Ramush Haradinaj (PDK-AAK-NISMA) dhe Avdullah Hoti (LDK-AKR), si dhe kandidati i pritshëm nga Vetëvendosje, Albin Kurti, në deklarimin e tyre të pasurisë kanë treguar sa kanë para të thata, pasuri të luajtshme e paluajtshme, si dhe sa kanë të hyra vjetore.
Derisa Haradinaj e Hoti kanë të deklaruar pasurinë e luajtshme dhe atë të paluajtshme, Kurti nuk ka deklaruar që ka të tillë.
Pasuria e luajtshme familjare e Haradinajt është më e madhja, krahasuar me dy kundër kandidatët e tij. Ai ka deklaruar 68 mijë euro vetura e motoçikletë, Avdullah Hoti 5800, ndërsa Albin Kurti nuk ka të deklaruar asgjë.
E njëjta vlen edhe për pasurinë e paluajtshme familjare, ku ajo e Haradinajt mbetet prapë më e madhja. Ai ka të deklaruar 672 mijë e 300 euro shtëpi e tokë, Avdullah Hoti 128 mijë, ndërsa Kurti përsëri nuk ka të deklaruar asgjë.
Sa i përket parave të gatshme, Albin Kurti nuk ka deklaruar asnjë cent në emrin e tij, por ka deklaruar 85 mijë euro në emër të gruas. Haradinaj ka 13 mijë euro para të gatshme ndërsa Hoti ka 19 mijë e 235 euro.
Sa u përket të hyrave vjetore, Haradinaj ka 28 mijë e 476 euro të hyra vjetore, Hoti 43 mijë e 113 euro, ndërsa Kurti 18 mijë e 824 euro.