Ridefinimi i shtetit ka qenë edhe motoja e Lëvizjes BESA si kusht për të qenë pjesë e qeverisë së re në Maqedoni. Pa e ridefinuar shtetin nuk do të marrim pjesë në qeveri kanë thënë zyrtarë të lart të Lëvizjes BESA.
“Ridefinimi i shtetit është domosdoshmëri. Dhe në këtë pikë jemi të pa kompromis. Sigurisht, këtu nenkuptohet edhe pavarësia e gjyqësorit të cilit duhet krijuar parakushte që të ndjek të gjitha figurat e implikuara në krim e korrupsion. Vetëm atëherë mund të diskutohet për nënshkrimet e deputetëve të Lëvizjes BESA për formimin e Qeverisë. Në të kundërt, nuk ka asnjë kuptim vazhdimi i një qeverisje me protagonist të kompromentuar në çdo aspekt”, është deklaruar një zyrtar i lartë i Lëvizjes BESA.
Për analistin politik dhe gazetarin hulumtues, Xhelal Nezirin Besa duket se nuk i ka bërë hesapet si duhet, por as që ka qenë e qartë me atë se çfarë nënkupton me ridefinim
“Është joracionale të pritet apo të kërkohet ridefinimi i shtetit në këtë moment, kur vendi mezi siguroi tranzicion paqësor të pushtetit. Sidomos nëse kemi parasysh faktin se për atë ridefinim nuk duhet biseduar vetëm me LSDM-në, por edhe me VMRO-DPMNE-në. Për ndryshimet që kërkon Besa me platformën e ridefinimit nevojiten mbi 81 vota në Parlament. Andaj mendoj se Besa me ridefinimin, por edhe BDI dhe ASH me deklaratën shqiptare, shkuan përtej realitetit politik në terren duke rritur në mënyrë artificiale pritshmërinë e shqiptarëve në raport me të drejtat e tyre etnike. Nëse pritshmëria rritet pa bazë reale, atëherë edhe zhgënjimi rritet poashtu. Besa duket se nuk i ka bërë hesapet si duhet, por as që ka qenë e qartë me atë se çfarë nënkupton me ridefinim” thotë Neziri për TetovaSot.
Ndryshe mandatari Zoran Zaev, sot është takuar edhe me liderin e BDI-së për formimin e qeverisë së ardhshme ku ditë më parë kishte takim edhe me Bilall Kasamin, dhe ditëve në vijim pritet edhe të takohet me Ziadin Selën për të parë nga afër edhe këkresat e shqiptarëve për formimin e qeverisë./tetovasot