Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj i është kundërpërgjigjur LDK-së duke insistuar se të gjithë papunëtorët që nuk kryejnë në mënyrën e duhur shërbimet për qytetarët do të largohen nga puna.
Haradinaj, ditë më në një diskutim me qytetarë të Rahovecit, kishte thënë se nëse koalicioni PDK-AAK-Nisma fiton zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, “do të zbraz tërë administratën shtetërore dhe do të sjell njerëz adekuat për të punuar në shërbim të qytetarëve”, transmeton Koha.net. Këtë LDK-ja e ka cilësuar si shantazh dhe kërcënim ndaj administratës publike.
“Kam bashkëqeverisur dikur me LDK-në ata më njohin mirë, më kanë besuar realisht me udhëheq Qeverinë e vendit dhe janë krenuar me logjikat qeverisëse. Nuk ka dalë kurrkush prej pune prej Haradinajt për çfarëdo përkatësie, çfarëdo natyre, por nuk mundem me marr në qafë një vend me ata që s’e kryejnë punën e vet. Pra, administrata nuk është për shkak të administratës por është për shkak të qytetarëve, të popullit. Nëse dikush nuk iu del përballë me shërbime në mënyrën e duhur qytetarëve kuptohet që del nga puna. Nëse dikush ka problem me këtë punë e madhe. Pra, ne nuk mundemi me mbajt peng vendin tonë përjetësisht në emër të çfarëdo burokracie. Të gjitha procedurat, të gjitha shërbimet ose kanë me u krye në kohë dhe në kualitet si i takon, ose kanë me shkuar në shtëpi”, ka thënë Haradinaj.