Lëvizja Vetëvendosje dje ka dërguar një kërkesë me shkrim drejtuar KQZ-së duke kërkuar shtyrjen e afatit për regjistrim për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë vendit.
“Formalisht e drejta dhe mundësia për pjesëmarrje në votim ju njihet me ligj, praktikisht ju bëhet e pamundur për shkak të afatit të shkurtër për regjistrim dhe mungesës së informimit të votuesve për mënyrën e regjistrimit dhe votimit”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.
Vetëvendosje thotë se, ngjashëm si në zgjedhjet e kaluara, periudha e regjistrimit prej 15-22 maj është tejet e shkurtër për t’u njoftuar, përgatitur dhe dërguar dokumentacionin e nevojshëm për të gjithë ata që janë të interesuar të votojnë përmes postës.
“Edhe më të pamundur e bënë fakti, që gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur gati se fare fushatë zyrtare të informimit të qytetarëve jashtë vendit mbi mënyrat, afatet dhe kushtet e regjistrimit për të votuar. Procesin e regjistrimit edhe ashtu e ka dëmtuar edhe më shumë fakti se gjatë gjithë kohës ka pasur njoftime deri në konfirmimin zyrtar se email adresat zyrtare të KQZ-së, në të cilat dërgohen aplikacionet kanë pasur probleme teknike deri në mosfunksionim të plotë me orë të tëra”, thuhet më tej në komunikatë.