Urdhri i Nënë Terezës që mban gjallë trashëgiminë e saj

Ai që sot ngrihet në nivelin e një metropoli, por dikur ishte një qytet i varfërisë së skajshme, është vendi ku një vajzë shtatvogël do të vendosej në moshën e brishtë 19-vjeçare pas largimit nga vendlindja e saj, Shkup.

Ishte viti 1929 dhe Anjezë Gonxhe Bojaxhi fillimisht u angazhua me mësimdhënien në shkolla për vajza. Nga këtu e deri në shndërrimin në “shenjtoren e të varfërve”, siç e njohim sot, ka në mes një punë të palodhur e vetëmohuese me të vobektët e të vobektëve, me ata që ishin me një këmbë në varr, me të përçudnuarit, lebrozët e jetimët.

Të dielën, Nënë Tereza kthehet në shenjtore të Kishës Katolike vetëm 19 vjet nga vdekja e saj. Urdhrin “Misionarët e Bamirësisë”, murgesha e kthyer në zërin e të pashpresëve e themeloi në vitin 1950 me vetëm 12 motra. Sot numeron 5 161 të tilla në 139 shtete të botës. Trashëgimia e saj është sot më e fuqishme se kurrë.

“Kur shikonte njerëz nëpër rrugë që shtriheshin pranë kazanëve të mbeturinave e hanin aty ç’ të gjenin, asaj i çahej zemra. Nënë Tereza donte një vend ku të mblidheshin këta njerëz e ku dikush të kujdesej për ta. Donte t’ u jepte një jetë me dinjitet”, thotë motra Nicole.

Fituesja e Nobelit të Paqes shihet si një prej grave më me influencë në historinë 2 000-vjeçare të kishës.

At Xavier Jairaj shprehet: “Ajo pati jetën e një shenjti. Jetoi dhe e ndau jetën e saj me të tjerët, ndaj në sytë e njerëzve dhe në sytë e Zotit, jam i bindur se ajo ka bërë punën e Zotit”.

Portreti i Nënë Terezës, që do të përdoret gjatë ceremonisë së shenjtërimit të saj në sheshin “Shën Pjetër” të dielën u prezantua në Uashington nga artisti Chas Fagan, si i specializuar në portretet dhe skulpturat e presidentëve dhe politikanëve amerikanë. Kërkesa iu bë atij nga organizata Knights of Columbus, e cila ka mbrojtur gjithmonë punën e Nënë Terezës në Kalkuta.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme