Kosova ka pasur gjithsej pesë presidentë. Në ditën e Presidentit sjellim rënditjet e pesë presidentëve të Kosovës që nga viti 1998 deri sot.
Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, të komunës së Istogut. Ai ka qenë prijësi për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodhë President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Ai u zgjodhë President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004. Dr. Ibrahim Rugova vdiq më 21 kallnor 2006 në Prishtinë dhe u varros në Bregun e Diellit me nderimet më të mëdha të popullit të Kosovës.
Fatmir Sejdiu u lind më 23 tetor 1951 në Pakashticë, të komunës së Podujevës, Kosovë. Më 10 shkurt 2006, Fatmir Sejdiu u zgjodhë Presidenti i Republikës së Kosovës me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Më 27 shtator 2010, ai dha dorëheqje nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës.
Behgjet Pacolli u lind më 30 gusht 1951, në Marec të komunës së Prishtinës. Ishte President i Republikës së Kosovës gjatë periudhës 22 shkurt-30 mars 2011.
Atifete Jahjaga u lind më 20 prill 1975 në Rashkoc të komunës së Gjakovës. Ishte Presidente e Republikës së Kosovës gjatë viteve 2011-2016.
Hashim Thaçi u lind më 24 prill 1968 në Burojë të komunës së Skenderajt. Ai është President i Republikës së Kosovës, i zgjedhur më 26 shkurt 2016 në Kuvendin e Kosovës. Detyrën e presidentit e mori më 7 prill 2016, pas betimit solemn në Kuvendin e Kosovës, të cilën vazhdon ta ushtrojë ende./21Media