Let’s Do It Kosova për të gjashtin vit me radhë ka shënuar në mënyrë të suksesshme aksionin e madh të pastrimit në tërë Kosovën “Ta pastrojmë Kosovën”. Mbi 51 mijë vullnetarë morën pjesë në aksionet e sotme të pastrimit, të cilat rezultuan me eliminimin e 130 deponive ilegale dhe grumbullimin e mbi 10 mijë thasëve me mbeturina.
Aksioni kryesor ka nisur në lagjen “Arbëria” të kryeqytetit, ndërsa ka vazhduar gjatë tërë ditës edhe në komunat e tjera të Kosovës, ku numër i madh i vullnetarëve kontribuuan në pastrimin e Kosovës.
Në aksionet e sotme, numri më i madh i deponive është larguar në komunën e Istogut. Me 22 deponi të larguara, Istogu mban primatin për numrin më të madh të deponive të eliminuara. Ndërsa, në komunën e Gjakovës është angazhuar numri më i madh i vullnetarëve, mbi 6 mijë.
Këto dy komuna shpallen si më të suksesshmet për aktivitetet e organizuara në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” për vitin 2017. Falë kësaj, Let’s Do It Kosova së bashku me partnerët e saj do të rrisë angazhimet në investime konkrete në këto dy komuna.
Let’s Do It Kosova falënderon komunat e Kosovës për bashkëpunimin e tyre dhe ndihmën e dhënë për organizimin e aksioneve, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Meridian Corporation, Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), KFOR, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, UNDP, misionin e OSBE-së në Kosovë, Agjensionin “Dita”, Kompaninë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), ndërmarrjet publike të pastrimit, Kompaninë “KAWA Group”, Kompaninë e telefonisë mobile “Vala” si dhe mediat për mbështetjen e vazhdueshme.
Let’s Do It Kosova shprehet falënderues dhe mirënjohës për të gjithë vullnetarët që u angazhuan në fushatën e këtij viti. Po ashtu, bëjmë të ditur se ne do të vazhdojmë angazhimin tonë në të mirë të mjedisit, andaj u bëjmë thirrje qytetarëve që edhe më tej të vazhdojnë angazhimin e tyre dhe të tregohen të përgjegjshëm karshi çështjeve mjedisore.
Angazhimet e ditës së sotme, duke filluar nga përfaqësues institucional e deri te nxënësit e shkollave fillore janë tregues të qartë, se të gjithë kanë filluar të vetëdijesohen për rëndësinë e një mjedisi të pastër.
Let’s Do It Kosova inkurajon të gjitha komunat që të vazhdojnë me angazhimet e tyre për zgjidhjen e problemeve të mjedisit dhe shpreh gatishmërinë që të ofrojë ndihmën dhe kontributin për këtë çështje.