Veprimtari, atdhetari e letrari i njohur Adem Demaçi është paraqitur në një përmbledhje të shkurtër nëpërmjet një ekspozite letrare e fotografike të organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës.
Selatin Novosella, ish i burgosur politik, ka treguar se çka përmban ekspozita.
Novosella nga pjesa e familjes i veçon dy fotografi të cilat i cilëson si të jashtëzakonshme dhe shumë domethënëse.
“Ne e kemi bërë një përpjekje që në mënyrë kronologjike, që nga familja pastaj gjykimin e parë dhe të dytë të Bacit, pastaj takimet e ndryshme me personalitete kombëtare dhe ndërkombëtare, pastaj shtypi për baçin, dorëshkrimet e Bacit, mirënjohjet, falënderimet, çmimet, dekoratat, por gjithsesi do të jetë edhe një pjesë e librave që janë të baçit por edhe të tjerët që kanë shkruar për Bacin. Pra, këtu jemi para ekspozitës ku janë prindërit e Adem Demaçit, baba, nëna, vëllau, motra dhe këtu një fotografi është ndër të fundit. Unë do të siha fokusuar në dy fotografi të cilat kanë një mesazh të veçantë, shumë të veçantë, besoj paimagjinueshëm veçantë. Këtu e kemi një fotografi e bërë në qershor të vitit 1974 që do të thotë pikërisht pas dhjetë vitesh që Adem Demaçi e mban dhjetë vite burgun e dytë, kur është burgos më 8 qershor të vitit 1964 Abetarja ka qenë një vit e gjysmë, Shqiptari ka qenë i palindur. Çfarë simbolike tash pas dhjetë vitesh është kjo fotografi shumë e veçantë, domethënëse”, është shprehur Novosella.
Ndërsa, fotografia e dytë e rëndësisë së jashtëzakonshme, sipas Novosellës, është ajo e pas 15 vjetëve, kur Demaçi e ka përfunduar dënimin e tretë.
“Një fotografi po ashtu e veçantë e kësaj natyre është fotografia që tash del pas 15 vitesh prej burgut të tretë ku Abetarja është tashmë inxhiniere dhe Shqiptari tashmë mjek specialist, që do të thotë, ko fotografi është bërë në vitin 1990, pas 15 viteve burg. Unë kujtoj që vetëm këto dy vite pas dhjetë viteve dhe pas 15 viteve takimi i parë pas dhjetë viteve dhe takimi i parë pas 15 viteve unë kujtoj që janë shumë të kuptimta dhe shumë domethënëse”, ka treguar Novosella.
Një pjesë e ekspozitës e cila është organizuar për nder të 80 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit i është kushtuar veprimtarisë së tij letrare.
Selatin Novosella është shprehur se një prej segmenteve më të rëndësishme në jetën e Demaçit është krijimtaria letrare.
“Siç dihet është autor i dhjetë veprave të botuara, por ajo që në njëfarë mënyrë është identifikuar me Demaçin dhe Demaçi me këtë libër për titullin që mban dhe mesazhin që sillte është “Gjarpërinjtë e Gjakut”. Këtu kemi tetë botime, një prej tyre në gjermanisht dhe në gjuhë tjera. Ky romani që unë kam informata që është botuar dhe ribotuar 12 herë, por këtu ne kemi vetëm këto tetë dhe këto më vonë që janë botuar i kemi do me thënë në komplet nëntë botime. Unë kujtoj që vlen të theksohet një vepër shumë e veçantë e Demaçit, është fjala për “Politika dhe Pushka”, është një libër për dy arsye i veçantë: Një se është shkruar në burg, në rrethana dihet se çfarë është shkruar, është në mes miqve tanë dhe është ndarë pjesë-pjesë, ky libër ka diku rreth 250 faqe, është dramë historike ku kryepersonazh është Hasan Prishtina dhe Azem Bejta”, është shprehur ai.
Në ekspozitë janë të publikuara edhe fotografi dhe dokumente të jetës së Adem Demaçit gjatë gjykimeve të tij por edhe veprimtarisë së Demaçit.
“Tani nuk do të flasim për fotografi dhe dokumente për gjykimin e parë të Bacit meqë dënohet siç dihet në vitin 1958 me 5 vite burg por do të kalojmë drejt në gjykimin e dytë për arsye se atje ishte dënuar vetëm, prandaj nuk kemi kurrfarë fotografish. Kurse këtu kemi të bëjmë me gjykimin e dytë të baçit e që dënohet si Kryetar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve ku kishte rreth 300 anëtarë, ku kishte degët e saj në Pejë, Prishtinë, Stamboll, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë dhe kjo është mrekullia”, ka deklaruar ai.
Novosella ka treguar edhe disa materiale, fotografi e dokumente të veçuara nga jeta e tij për t’i paraqitur në këtë ekspozitë.
“Adem Demaçi tash dënohet, në vitin 1975 dënohet përsëri me 15 vite burg. Në këtë gjykim kishte personalitet të përmasave që do të marrin karakter kombëtar, në mesin e tyre Rexhep Mala, Isa Kastrati, por çka është e vërteta edhe shumë veprimtarë tjerë si është Osman Dumoshi, Ilmi Ramadani, Skender Kastrati, unë atëherë isha i dënuar që është e vërteta edhe në kuadër të Lëvizjes Revolucionare si i mitur, vëllai ishte i dënuar nëntë vite atëherë kurse gjykimi i tretë me Adem Demaçin, në mesin e të gjithë shokët tjerë ku na dënuan të 19-ve bashkë, unë kam qenë i dënuar me 7 vite kurse Baci dënim i rezervuar maksimal 15 vite”, deklaroi ai.
Ekspozita e cila është organizuar dhe përkrahur nga Shoqata e të burgosurve politik, Instituti i Historisë, ai i Albanologjisë, Ministria e Drejtësisë, e Kulturës dhe MASHT-i, do të qëndrojë e hapur edhe për disa ditë në objektin e Shoqatës së të Burgosurve Politik në Prishtinë, ku është e hapur për të gjithë qytetarët dhe pastaj do të përmbyllet në Tiranë./