Nisja e turneut të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nëpër shkolla të ndryshme në Kosovë ka ngjallur reagimin e koalicionit LDK-AKR-Alternativa, i cili thotë se me këtë ai po bën përpjekje për t’i dalë në ndihmë fushatës së “koalicionit të mesnatës, për krijimin e të cilit një rol të rëndësishëm ka luajtur ai”, shkruan sot Koha Ditore.
“Praktikat e mëhershme të trajtimit të padinjitetshëm të mësimdhënësve nëpër fushata zgjedhore, sikur rasti në balotazhin për kryetar të Komunës së Drenasit, të aplikuara nga Thaçi, kanë dëmtuar reputacionin e institucionit të presidentit të Republikës”, thuhet në reagim.
Për të mos i degraduar institucionet arsimore, koalicioni LDK- AKR-Alternativa i ka kërkuar presidentit Thaçi që të heqë dorë nga turneu i tij parazgjedhor nëpër shkollat e Kosovës. Këtë kërkesë, siç thuhet në reagim, po e bëjnë për të evituar shkeljen kushtetuese, të cilën do të ishin të detyruar ta adresonin.