Mund të sëmuremi lirshëm, ministrin e shëndetësisë e kemi patriot!

Xhevdet Pozhari

Çfarë nuk na tha e çka nuk na quajti Arben Taravari neve që thoshim: o zotëri Taravari, nuk është asgjë jonjerëzore dhe e turpshme të kesh ambicie, madje edhe të papërmbajtura, si për shembull të bëhesh deputet apo ministër, por është shumë e shëmtuar dhe jonjerëzore të shkelësh mbi çdo parim e të mbulohesh me patriotizëm e misionarizëm të rrejshëm për bashkim të partive shqiptare, vetëm e vetëm që të arrish deri tek statusi të jesh një nga shumë të punësuarit në Qeverinë e Zaevit.

Por sidoqoftë, shqiptarët e Maqedonisë sot kanë pse t’i gëzohen formimit të qeverisë “reformatore”: në mos më shume, në kabinetin e saj pritet të zë vend edhe një demagog shqiptar i cili na lodhi edhe neve të tjerëve duke na sharë e ofenduar vetëm pse i thoshim: aman o “patriot”, behu ç’të duash, por mos na shaj neve nëpërmjet “t’folmes” tënde me gojën e huaj vetëm ngaqë e kemi zbuluar të vërtetën se ti nuk je as për bashkim të opozitës dhe as që ke brengën e popullit, por i dehur nga ambicia për t’u bërë deputet apo ministër, e ke humb edhe pushtetin mbi vetveten.

Tani, pra shqiptarët e Maqedonisë le të sëmurën lirshëm, ngaqë thuhet se ministër i shëndetësisë do jetë një “patriot” dhe “misionar” që bëri çmos të bëhet deputet por nuk ia doli, edhe pse premtoi se do të kandidojë si i 22 – ti, por populli nuk e votoi as si të dytin!

Dhe ky popull mbase edhe që tani e tutje do të ketë shëndetësi patriotike, por me këta qeveritar shqiptarë ai ende do të lëngojë nga sëmundja e vjetër: nga politika që e bëjnë politikanët të cilët flasin për popull ndërsa mendojnë se sa të pëlqyer do të jenë nga sunduesi maqedonas.

Ne fund më duhet të shtoj patjetër diçka që do të duhej ta them që në fillim: këtë shkrim nuk e bëjë me shpresë se do të ketë ndonjë ndikim tek cilido, ngaqë prej moti e di se të kërkosh korrektësi tek ai që e shan cilindo që ia zbulon fytyrën e vërtetë, është e barabartë sikur të kërkosh ndërgjegje tek ai që nuk ka turp.

Sigurisht, jam i vetëdijshëm edhe për atë se si gjithmonë deri më tani, se pas këtij shkrimi do të pasojnë tekste anonime që “folin” me gojën e Taravarit, e ku neve na quajnë herë kopila, herë bashkëpunëtorë të LSDM – së apo VMRO – së, gjithmonë duke dashur të na portretojnë sikur vetveten – me shpirt të shërbëtorit.

Këtë tekst, në fakt e shkruaj vetëm të dëshmojë një gjë që duhet mbajtur mend: edhe pas zgjedhjes së tij eventuale si ministër i shëndetësisë, Taravari do të thotë se “këtë ai nuk e ka dashur, por ia ka kërkuar partia dhe populli”!

Në të vërtetë ky shkrim ka vetëm një qëllim: të tregojë se Taravari bën çdo gjë për të mirën e popullit, ndërsa ne që i themi se ai është vetëm një karrierist i sëmurë, nuk jemi asgjë tjetër përpos se “kopila” shërbëtor të forcave të errëta antishqiptare.

Por, megjithatë, neve dhe Taravarin “patriot”, na dallon diçka: ai pritet të jetë ministër në një qeveri, për të cilën askush nuk e dinë se çfarë do u sjellë shqiptarëve të Maqedonisë ndërsa ne – kritikuesit – kurrë deri më tani nuk i kemi shërbyer asnjë sunduesi maqedonas.

Sigurisht se jam i vetëdijshëm se “taravarët” do të thonë: se ata kanë marrë përgjegjësi për të mirën e popullit. Por ja unë publikisht vë bast: shqiptarët e Maqedonisë do të jenë shumë larg të mirës kolektive, përderisa kanë pushtetarë, por jo edhe shtet dhe derisa qeveritë maqedonase janë institucione për punësimin e politikanëve me ambicie të sëmura.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme