Presidenti i zgjedhur i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se posa të nisë detyrën e shefit të shtetit synon të hapë çështjen e Kosovës, porse nuk e ka ndërmend të heqë dorë prej saj. Kështu raportojnë mediet e Beogradit, transmeton Koha.net.
“Do të betohem në Kushtetutë. Nuk kam të drejtë të heq dorë nga Kosova, por ne duhet të hapim këtë temë – tha Vuçiq, duke iu përgjigjur liderit të LDP-së, Çedomir Jovanoviqit, i cili e pyeti nëse si president i vendit do të zgjidhë nyjet e Gordit, të cilat mjegullojnë perspektivën europiane të vendit, në radhë të parë kur është fjala për Kosovën.
“Nuk do ta pranoj Kosovën, kjo nuk është politika ime, por jam i gatshëm të bisedoj dhe të pranoj faktin se ndër ne ka shumë mite e legjenda”, është shprehur Vuçiq, transmeton Koha.net.
Lideri i LDP-së Çedomir Jovanoviq e ka pyetur Vuçiqin edhe se cili do të jetë hapi i parë i tij pasi të marrë funksionin e presidentit të vendit dhe a do të jetë president i të gjithëve. Jovanoviq e ka pyetur edhe për qëndrimin nda nacionalizmit, situatës në Kosovë dhe ndaj politikës europiane.
“Nuk do të mund t’i zgjidhi të gjitha problemt, do të kem më shumë kohë për çështjet strategjike – siç është Kushtetuta, Kosova e Metohija, arsimi. Duhet t’i hapim të gjitha temat të cilat janë të vështira dhe të dhembshme për shoqërinë – edhe Kosovën, edhe Kushtetutën…”.
© KOHA