Në Kosovë 1279 fëmijë jetojnë nën kujdestari

Sipas një llogaritjeje të re nga ana e UNICEF-it, të paktën 2.7 milionë fëmijë në botë jetojnë nën përkujdesje rezidenciale. Megjithatë, shifrat e publikuara sot në revistën “Child Abuse & Neglect” ka gjasë të jenë vetëm maja e ajsbergut, me boshllëqe të mëdha në grumbullimin e të dhënave dhe regjistrimet e sakta që janë gjetur në shumicën e vendeve.

“Nën përkujdesje rezidenciale, siç janë institucionet ose jetimoret, fëmijët që tashmë janë të cenueshëm për shkak të ndarjes familjare janë në rrezik të shtuar të dhunës, abuzimit dhe dëmit afatgjatë në zhvillimin e tyre mendor, social dhe emocional,” tha Cornelius Williams, Ndihmës Drejtor i Mbrojtjes së Fëmijëve në UNICEF. “Prioriteti kryesor është t’i mbajmë fëmijët jashtë përkujdesjes rezidenciale dhe me familjet e tyre, sidomos në moshën e hershme.”

Vlerësimet e reja të UNICEF-it janë të bazuara në të dhëna nga 140 vende. Rezultatet tregojnë se Evropa Qendrore dhe ajo Lindore e kanë normën më të lartë në botë ku për çdo 100,000 fëmijë 666 jetojnë nën përkujdesje rezidenciale, normë kjo 5 herë më e lartë se mesatarja botërore prej 120 fëmijëve në 100,000. Vendet e industrializuara dhe Azia Lindore si dhe rajoni i Pacifikut e kanë normën e dytë dhe të tretë më të lartë, me 192 dhe 153 fëmijë në 100,000 përkatësisht.

Hulumtimi i UNICEF-it thekson se shumë vendeve ende u mungon një sistem funksional për dhënien e shifrave të sakta mbi numrin e fëmijëve nën përkujdesje alternative. Në shumë vende, regjistrimet zyrtare e përfshijnë vetëm një pjesë të vogël të numrit të vërtetë të fëmijëve që jetojnë nën përkujdesje rezidenciale, ndërkohë që fëmijët në qendra private shpesh nuk llogariten.

Në Kosovë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Social jep një shifër prej 1279 fëmijë nën kujdestari vetëm në vitin 2015, përderisa 774 fëmijë janë nën kujdes alternativ formal.

Kosova ballafaqohet me sfida të shumta në lidhje me kujdesin ndaj foshnjave si zgjidhja e statusit ligjor të fëmijëve, strehuesit familjarë që janë në dispozicion e që nuk shfrytëzohen, etj. Sidoqoftë UNICEF-i del me rekomandime konkrete se si te përmirësohet kjo situatë duke ngritë buxhetin, të përmirësohet sistemi i të dhënave dhe të adresohet boshllëku në respektimin e të drejtave të fëmijëve sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijëve.

“Është vendimtare që qeveritë të mbajnë lista më të sakta e gjithëpërfshirëse të të gjitha ndërtesave ekzistuese të përkujdesit rezidencial, si dhe të bëjnë rregullisht numërime të plota të fëmijëve që jetojnë në këto objekte në mënyrë që të përforcohen regjistrimet zyrtare,” tha Claudia Cappa, Specialiste e Statistikave në UNICEF dhe bashkautore e këtij studimi. “Në këtë mënyrë do të mund ta masim shkallën e këtij problemi dhe të punojmë me qeveritë për të reaguar në mënyrë efektive.”

Hulumtimi tregon se disa prej faktorëve kyç të rrezikut që për rrjedhojë kanë vendosjen e fëmijëve nën përkujdesje rezidenciale përfshijnë ndarjen e familjes, problemet shëndetësore, ofrimin e dobët ose jo të barabartë të shërbimeve sociale, aftësinë e kufizuar dhe varfërinë.

Qeveritë luten që ta ulin numrin e fëmijëve që jetojnë nën përkujdesje rezidenciale duke i parandaluar ndarjet familjare në raste kur kjo është e mundur dhe duke kërkuar shtëpi për fëmijët në kujdesin e bazuar në familje siç është familja adoptuese. Investim më serioz është po ashtu i nevojshëm në programet për përkrahje familjare me bazë në komunitet, u shpreh UNICEF-i.

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e secilit fëmijë në çdo gjë që ne bëjmë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme