Xhevdet Pozhari
Rreth 400 kandidatë shqiptarë do të garojnë për 105 ulëse në Kuvendin e Republikës së Kosovës. 10 ulëse janë të rezervuara minoritetet, ndërsa 5-6 ulëse mund t’i fitojë “Lista Srpska” nëse i referohemi votave të kësaj partie në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2014.
Dy vite e gjysmë më pas, Kosova ballafaqohet me zgjedhje të reja të parakohshme. As qeveria e parë dhe as ajo e dyta e udhëhequr nga PDK nuk arritën ta mbajnë mandatin deri në fund. Tash, së treti u dorëzuan që në fillim, ngaqë u tërhoqën nga posti i mandatarit duke ia dorëzuar Ramush Haradinajt, njeriut që iu shkaktoi jo pak kokëçarje si opozitë, por i cili po ashtu njihet për ambicien këmbëngulëse për të qenë edhe një herë kryeministër që ta vazhdojë “100 ditëshin” e tij që u ndërpre padrejtësisht nga procesi gjyqësor i Hagës nga i cili u kthye fitimtar.
Për PDK’në dinake duket se kjo kërkesë ka qenë më pak problematike sesa rrezikimi për të shkuar në opozitë pas formimit të koalicionit LDK-AKR dhe të tjerët. Aq më tepër kur kanë humbur edhe 15 mijë votat potenciale që kishin sjellë një elektorat më specifik me bindje më të theksuara fetare dhe kalimi i tyre në anën e kundërshtarit politik. Përvoja e gjatë e pazareve politike të PDK’së i bën që mos ta përjashtojnë edhe mundësinë e dështimit të formimit të Qeverisë së ardhshme nëse ky koalicion do të sigurojë përqindjen e pamjaftueshme të votave për ta formuar Qeverinë e ardhshme me votat e deputetëve minoritar dhe partnerin e tyre, Listën Srpska.
Precedenti i zgjedhjeve të kaluara kur u formua koalicioni paszgjedhor VLAN dhe vendimi i gjykatës kushtetuese do ta pamundësonte formimin e Qeverisë pa pjesëmarrjen edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në këto zgjedhje zgjodhi të garojë e vetme dhe të imponohet si një prej tre alternativave kryesore që kanë votuesit në zgjedhjet e këtij viti. Së paku deri më tani, Vetëvendosje është treguar më kategorike ndaj mundësisë së bashkëqeverisjes me PDK-AAK-Nisma, por të njëjtin qëndrim nuk e ka mbajtur edhe për opsionin tjetër, LDK-AKR dhe të tjerët me të cilët duket se kanë edhe një marrëveshje të heshtur që të jenë më të kursyer në gjuhën që përdorin gjatë fushatës.
Për të besuar se Vetëvendosje do të del parti e dytë, se pari duhet besuar se është e mundur një parti të rritet dyfish më shumë sesa në zgjedhjet e fundit kur ky subjekt kishte 14% të votave, ndërsa të besosh se do të del alternativa fituese, atëherë matematikisht do të duhej të trefishohej numri i votuesve të saj. Gjë që është në kufi me të pamundurën sidomos kur bartësit kryesorë në listë të kësaj Lëvizje janë thuajse të njëjtit me ata të vitit të kaluar, me ndryshime të vogla që dallojnë në renditje, por jo edhe në opsione të reja. Po ashtu, që tani duket se kjo alternativë politke është koncentruar më shumë në rajonin e Prishtinës dhe Anamoraves ku shpreson për rezultate më bindëse, gjë që e shpjegon edhe numri më i madh i kandidatëve nga keto zona, në raport me komunat tjera.
Dukagjini në keto rrethana duket se është betonuar nga forca politke e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Prizreni me rrethine nga dominanca e PDK’së me partnerët e vegjël, po ku kësaj radhe do të ketë edhe elektoratin e Nismës, e cila do të jep ndihmesë veçanërisht në Malisheve dhe në një pjesë të Prizrenit, komunës së dytë më të madhe për nga numri i votuesve.
LDK – AKR dhe të tjerët, nga komunat e mëdha, më tepër do të mbeten të përqendruar në Prishtinë, Ferizaj, e Gjilan, dhe një pjesë të të elektoratit që e synojnë edhe në Gjakovë me ndihmën e partnerëve. Por, në cilëndo rrethanë, që tani duket se votuesit potencial janë betonuar dhe i kanë pranuar natyrshëm koalicionet e momenteve të fundit. Gjë që lë shumë pak hapësirë për befasi. Ngaqë në secilën komunë të madhe do të zhvillohet beteja midis dominuesve të deritanishëm.
E vetmja mundësi për përmbysje eventuale rezultati mbetet rinia studentore. Dhe jo rastësisht kjo grupmoshë është targetuar nga të gjitha partitë pa dallim. Kjo i jep një avantazh të lehtë Vetëvendosjes. Por, për ta përmbysur edhe këtë rrezik optimal, që të dy koalicionet e mëdha futen në lista kandidatë që do garojnë për herë të parë politikisht, e duket se kanë përkrahje të gjerë nga kjo shtresë e popullatës.
Cilido që të jetë rezultati, megjithatë është e qartë se cilado alternativë do ta ketë të vështirë formimin e qeverisjes së ardhshme, por edhe më të vështirë funksionimin e asaj qeverie ku do të dominionin ambiciet për sa më shumë pushtet. Andaj, nuk është larg mendsh që ky të jetë një cikël testues zgjedhor që do t’i paraprijë finales së madhe, një cikli të ri zgjedhor. Por, pa përjashtuar mundësinë që i gjithë ky strumbullar koalicionesh të përfundojnë bashkërisht në një Qeveri.