Në mbarim të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë fituese të luftës (Greqia, Italia dhe Serbia), ndërsa trojet lindore u pushtuan nga ushtria serbe, me ndihmën e aleates së saj, ushtrisë franceze.
Vetëm Plava e Gucia mbetën të papushtuara, shkruan Ramiz Abdyli, në numrin e sotëm të Kohës Ditore. Ato, në krye me Hasan Ferrin, edhe për katër muaj të tjerë u bënë ballë sulmeve të ushtrisë serbe, rrjedhimisht, të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene.
Nikola Pashiqi, kryeministër i Serbisë, duke qenë në dijeni për qëndresën e këtyre krahinave kundër pushtimit malazez, që nga Lidhja e Prizrenit, hezitoi t’i sulmonte ato, për t’i kursyer ushtarët e vet. Prandaj ai parapëlqeu pushtimin e këtyre krahinave “në mënyrë paqësore”.
Ndërkohë N. Pashiq urdhëroi ushtrinë e tij të pushtonte Shkodrën, para se ajo të merrej nga Italia. Mirëpo pushtimi i saj nuk ndodhi, sepse ky qytet u vu nën kontrollin e ushtrive aleate (Francës, Britanisë dhe Italisë).
Pas dështimit të përpjekjeve dymujore të Serbisë, rrjedhimisht Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, për pushtimin e Plavës dhe Gucisë në “mënyrë paqësore”, në janar të vitit 1919, filluan përpjekjet serioze të saj për pushtimin e këtyre krahinave.