Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngushëlluar Britaninë e Madhe për serinë e sulmeve të së shtunës mbrëma.
“Një sulm shokues në Londër. Lutjet tona janë familjet e viktimave. Mbretëria e Bashkuar është një shtyllë fundamentale e lirisë njerëzor – prandaj është një cak i terroristëve të ulët çnjerëzorë”, ka shkruar Thaçi në rrjetin social Twitter.
Edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryeparlamentar, ka ngushëlluar familjarët e viktimave të sulmit në Londër.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter ai ka shkruar se sulmi në Londër është sulm për të gjithë ne.
“Sulmi i Londrës do të thotë që ne të gjithë jemi sulmuar. Ngushëllime familjeve të viktimave dhe njerëzve të Mbretërisë së Bashkuar. Kosova qëndron në mënyrë të vendosur përkrah aleatëve tanë”, ka shkruar Veseli.
Edhe i nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka shkruar se është “thellësisht i prekur nga sulmet makabre në Londër dhe me humbjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm”.
“Lutjet tona sot janë me familjet e viktimave dhe popullin britanik. Asnjëherë nuk duhet dhe nuk do të dorëzohemi para akteve të tilla. Rreshtohemi me aleatët tanë në luftën e pakompromis kundër terrorizmit”, ka shkruar Haradinaj.