Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, në një takim me qytetarët e Kaçanikut, tha se Kosovës i duhet një fuqi politike që ka vizion e guxim.
“Kaçaniku ka dit me thënë dhe Jo. I ka thënë Serbisë Jo, kur ka qenë më së rëndi. Por ka ditë me thanë dhe Po, se i ka thënë lirisë po, UÇK Po për 17 vite me radhë i ka thënë PDK-së Po. Jam i sigurt që më 11 qershor, ka me i thënë PO të fuqishme, mbi 60 për qind Po “Fillimit të Ri” në Kaçanik dhe krejt Kosovës, Fillimit të ri të fitoreve të mëdha të sovranitetit të Republikës së Kosovës….Kosovës i duhet sot më shumë se kurrë, kur bukur shumë janë zgjuar do fantazma të kalueme, e po mendojnë që kanë mundësi të cenojnë sovranitetin tonë. Kanë mundësi me cenu flamurin tonë të shenjtë kombëtar, kanë mundësi me cenu flamurin e shenjtë të shtetit tonë. Duhet një fuqi politike që ka vizion, vendimmarrje, guxim”, tha Veseli, raporton KP.
Kreu i PDK-së më u tha qytetarëve të Kaçanikut që të mendojnë mirë dhe të mos e shpërndajnë fuqinë, pasi që Fillimit të Ri, i duhet një fitore mbi 50 për qind.
“Fillimit të ri i duhet një fuqi e madhe, i duhet një fitore mbi 50 për ind. Kjo është ajo çka i duhet Kosovës. Mos të mendoj askush në Kosovë, se është e lehtë me fuqizu vetë sovranitetit. Me sakrifica e kemi arritur dhe lirinë. Kemi dhe kundërshtar të pavarësisë sonë. Me 11 qershor mendone këtë. Mos e shpërndani fuqinë e juaj, të ata që mbjellin vetëm stagnim ekonomik. Mos e shpërndani fuqinë e juaj tek ata që mbjellin mashtrim, duke mos e njohur shtetin e Kosovës, duke mos e njohur flamurin e Kosovës. Sepse duke shpërndarë fuqinë, të jeni të bindur se më së shumti mund ta dëmtojmë vendin tonë. Mundemi me dëmtu sovranitetin e vendit tonë…Mos e leni për pak me u dëmtuar Fillimi i Ri. Mos lejoni mundësi që të ndahet fuqia jonë. Mos lejoni që ata që nuk e donë Kosovën, të kenë fuqi për Kosovën, të ketë fjalën për Kosovën. Me 11 qershor të bëhemi bashkë të gjithë. Qysh ia keni nxënë gryken armikut, tash hapnja grykën Kosovës dhe Fillimit të Ri”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, tha se kaçanikasit janë mishëruar me PDK-në dhe se tashmë e kanë ndarë mendjen, që ta votojnë këtë parti. Ndërsa tha se i çmojnë partitë tjera, por fitoren e ruajnë për vete.
“Qytetarët e Kaçanikut, herët e kanë ndarë mendjen, qysh në ngjarjet historike të vitit 97-98 për të festuar me 11 qershor për të festuar bashkërisht fitoren e parë në Komunën e Kaçanikut, me çlirimin e Kaçanikut, për të vazhduar me fitoret serike të njëpasnjëshme. Dhe me 11 qershor të 2017 do të festojmë fitoren e 11 radhazi të PDK-së në Komunën e Kaçanikut. I nderuari kryetar Veseli, kaçanikasit janë të mishëruar me PDK, me programin e tij, me platformën e fillimit të ri, së bashku me koalicionin. Partitë tjera i çmojmë, respektojmë e vlerësojmë, por mbi të gjitha fitoren e ruajmë për vete”, tha ai.
Veseli do të vazhdojë fushatën zgjedhore edhe në Han të Elezit.