Pa ide për zhvillim, pa shpresë për një të ardhme më të mirë, politika kthehet në pazar të shitjes së votës. Kështu e shpjegon votën shqiptare për LSDM-në, njohësi i rrethanave politike Enis Sulstarova. Ai në një intervistë për revistën SHENJA duke folur mbi entuziazmin e ndërkombëtarëve për ta mbështetur Zaevin, tha se shqiptarët duhet lejuar që të tjerët të shprehin eufori, dhe vetë të shohin problemet me të cilat ballafaqohen. Ai tha se partitë shqiptare tanimë kanë platformën e përbashkët përveç Marrëveshjes së Ohrit dhe duhet t’ua bëjnë të qartë ndërkombëtarëve se kërkojnë shtet dykombësh e demokratik, pavarësisht se cili është kryeministri aktual në Maqedoni.
“Me sulmin që ndodhi në parlament, sidomos ndaj Zijadin Selës, partitë shqiptare e kanë argumentin për të treguar se asnjë shqiptar nuk ndjehet i sigurt në një shtet ku ata kanë vetëm “çelësat e kashtës”. Kur ndërkombëtarët t’u thonë shqiptarëve që t’i japin besimin Zaevit, ata t’u thonë diplomatëve se Zaevi duhet ta fitojë me vepra besimin e shqiptarëve, duke hetuar për sulmin në parlament dhe duke liruar e dëmshpërblyer të pafajshmit e proceseve të montuara. A do të munden partitë shqiptare të flasin njëzëri në këtë mënyrë.”, ka thënë për Revistën SHENJA, Enis Sulstarova, njohës i rrethanave politike.
Ai shtoi se partitë e reja shqiptare e kanë detyrën që ta shprehin politikisht vullnetin e shqiptarëve të Maqedonisë, pasi sipas tij, e ardhmja tanimë u takon atyre. Sulstarova vlerëson se PDSH dhe BDI janë parti që nuk kanë ide që t’i shtyjnë përpara dhe të njejtit sipas tij, kanë hyrë në fazën e inercisë.
“Meqenëse ‘e keqja’ në politikën shqiptare në IRJM ka kohë që kërkohet te PDSH-ja dhe BDI-ja, unë ‘të mirën’ e kërkoj te partitë e reja, te Lëvizja BESA dhe te Aleanca për Shqiptarët. Pavarësisht nga numri i deputetëve që kanë për momentin, më me rëndësi është fryma që mund të krijojnë. Ato nuk e kanë luksin të jenë parti të krerëve, por duhet të jenë parti të brezave të njëpasnjëshme, që edukohen me idenë e të qenit popull dhe jo pakicë.”, ka shtuar ai.
Duke folur mbi mbështetjen e Shqipërisë dhe Kosovës për shqiptarët e Maqedonisë, ai tha se shqiptarët duhet të shohin nga Tirana dhe Prishtina, por jo të harrojnë detyrën e tyre kombëtare. Sipas tij, nëse qeveritarët në Tiranë e Prishtinë u dalin në krah, mirë bëjnë, e nëse në vend që t’i ndihmojnë, i këshillojnë mbrapsht, atëherë vetëm duhet faleminderuar dhe vazhduar rrugën.