Policia londineze i njeh identitetet e 3 xhihadistëve, që vranë 7 persona e plagosën 48 të tjerë në Londër, dhe do t’i bëjë publike shumë shpejt….
Forcat e rendit bastitën dy shtëpi mëngjesin e së hënës në lindje të kryeqytetit britanik. 12 persona janë arrestuar në zonën “Barking”, pas kontrolleve në një apartament që besohet të jetë përdorur nga njëri prej agresorëve.
“Ura e Londrës” është hapur sërish për kalimtarët, së bashku me rrugët rreth e rrotull saj, por masat e sigurisë në zonë mbeten të larta.
Viktima e parë e identifikuar nga episodi tragjik i së dielës është shtetësja kanadeze, Chrissy Archibald, e cila ishte zhvendosur në Europë për të qëndruar me të fejuarin.
Mësohet se dy persona e kanë paralajmëruar policinë mbi sjelljen e njërit prej agresorëve, pikëpamjet e të cilit ishin bërë më ekstremiste dy vitet e fundit, gjë që tregon qartë se bëhet fjalë për një njeri që jetonte në Britani, siç po ndodh rëndom tani në Europë, ku aktet terroriste janë duke u kryer më së shumti nga vendas të radikalizuar, apo të frymëzuar prej ideologjisë ekstremiste.
Shteti Islamik njoftoi përmes “agjencisë” së vet të lajmeve “Amak” se ata që rikthyen terrorin në kryeqytetin britanik ishin luftëtarë të tij. Në forumet dhe kanalet e tyre të “chat”-it, simpatizantët e Shtetit Islamik shprehën gëzim për këtë sulm, njofton “Site Intelligence Group”, i cili është i specializuar për shqyrtimin e propagandës radikale islamike.
Sipas dëshmitarëve okularë, atentatorët kanë thirrur, si në “Urën e Londrës”, ashtu dhe në lagjen “Borough” se veprojnë “Në emër të Allahut”. Tetë minuta pas telefonatës së parë urgjente, policët i vranë të 3 burrat me një breshëri prej 50 fishekësh, që sipas shefit të policisë Antiterror, Mark Rowley, nuk kishte ndodhur deri tani.
Plot 36 persona janë aktualisht të shtruar në spital me plagë të ndryshme, e 21 prej tyre mbeten në gjendje kritike për jetën. Kryeministrja britanike Theresa May e dënoi ashpër sulmin një ditë më parë, e duke përdorur shprehjen “tani u mbush kupa” theksoi nevojën për masa më të ashpra kundër terrorizmit./Top Channel