Një tjetër incident, deri më tani vetëm shkrimor, është në shpërthim e sipër në fushatën parazgjedhore të serbëve të Kosovës. Të paktën sipas asaj që është prezantuar në rrjetet sociale.
Në shënjestër të këtyre shkrimeve është zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës e kandidati për deputet i Listës Srpska Branimir Stojanoviq.
E gjitha ka filluar kur Momir Trajkoviq, një ish- politikan serb i rreshtuar dikur në frontin antishqiptar të Slobodan Milosheviqit e edhe pas tij në Kosovë, në faqen e vet të facebookut e prezantoi Stojanoviqin si bashkëpunëtor të shërbimeve informative shqiptare e të huaja në Kosovë.
Trajkoviq, për këtë postim të vetin thotë të jetë bazuar në shënimet e shërbimeve informative e sekrete të Serbisë. Dhe, sipas këtyre shërbimeve, thotë Trajkoviq në facebook, Stojanoviq afrimin me shërbimet informative të Kosovës e kishte filluar në vitin 2014 derisa kishte qenë kryetar i komunës së Graçanicës. Po në këtë vit, sipas tij, me iniciativë të AKI-së Stojanoviqi, duke folur në gjuhën shqipe, i kishte premtuar Shërbimit sekret t Kosovës se do të ndihmonte në forcimin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Trajkoviq thotë se Stojanoviq ka bërë keqpërdorime të mëdha në komunën e Graçanicës kur ishte në krye të saj, ndërsa sipas shënimeve që thotë ai t’i kenë shërbimet informative serbe, Stojanoviq është i gatshëm të japë votën për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Me këto thënie të Trajkoviqit për Branimir Stojanvoqin, pajtohet edhe një ish – zyrtar i lartë i shërbimeve informative të Serbisë, Momir Stojanoviq, i cili në facebook, ka shtruar pyetjen se a e dinë shërbimet informative të Beogradit si e arriti këtë karrierë politike Branimir Stojanoviqi i cili, sipas Momir Stojanviqit, ka qenë vetëm shofer i kryetarit të komunës shqiptare të Graçanicës.
Gjenerali Momir Stojanoviq ka pasur pozita të lartë në ushtrinë e dikurshme jugosllave dhe atë serbe. Në fund të viteve ’90 ka qenë komandant i Njësisë për Çështje Operative në Komandën e Prishtinës, Korpusin e Tretë të Armatës së Serbisë dhe Malit të Zi.
Në shkurt të vitit 2015, Interpoli me kërkesë të EULEX-it ka lëshuar fletëarrestë për të për shkak të krimeve të kryera në Kosovë gjatë vitit 1999. /koha/.