Deri në 5 vjet burg për shkelësit e Ligjit dhe rregullave të zgjedhjeve

Organet përgjegjëse për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, po bëjnë mobilizime të shtuara për të sanksionuar çdo veprim jo ligjor në procesin e zgjedhjeve të parakohshme, parlamentare të 11 qershorit në Kosovë.

Parashihen edhe dënime mjaft të ashpra për ata që shkelin Ligjin dhe rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, kanë nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, u ka bërë thirrje, sidomos partive politike, që t’i respektojnë rregullat dhe Ligjin për zgjedhjet dhe në asnjë formë të mos përpiqen të manipulojnë me votat.

“I ftoj të gjitha subjektet politike, të gjithë komisionerët e tyre të cilët janë të angazhuar në ditën e zgjedhjeve ta kryejnë detyrën e tyre ashtu siç parashihet sipas Ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe sipas rregullave të KQZ-së dhe të mos e keqpërdorin detyrën e tyre të cilën e kanë atë ditë dhe të mos e dëmtojnë imazhin e shtetit të Kosovës”, tha Daka.

Këto komente, kryetarja e KQZ-së i bëri gjatë diskutimeve në tryezën me temën, “Drejtësia zgjedhore në zgjedhjet e 11 qershorit” të organizuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim në partneritet me Demokracia në Veprim.

Shkelësit e ligjit dhe rregullave të zgjedhjeve, do të ballafaqohen me drejtësinë, tha Laura Pula nga Prokuroria e Shtetit. Ajo tha se të gjitha rastet e shkeljeve, do të evidentohen nga Prokuroria dhe do të përfundojnë nëpër gjykata.

“Parashihen deri në 5 vite burgim, e çka është më e rëndësishme, komisionerët të cilët janë persona përgjegjës dhe të zgjedhur nga KQZ-ja, si dhe anëtarët tjerë nga stafi i akredituar nga KQZ-ja e të cilët bien ndesh me ligjin, do të jenë pjesë e hetimit nga ana e Prokurorit të shtetit dhe Policisë së Kosovës”, theksoi Pula.

Edhe Policia e Kosovës ka kumtuar se do të ketë një plan strategjik për ditën e zgjedhjeve duke garantuar siguri gjatë gjithë procesit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit kanë marrë mbështetjen e përfaqësuesve ndërkombëtar për të organizuar zgjedhje të lira e demokratike.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, tha se të dielën, më 11 qershor, Ambasada amerikane do të jetë vëzhguese e zgjedhjeve.

“Ambasada jonë do të ketë 40 ekipe në ditën e zgjedhjeve për vëzhgimin e votimeve dhe vëzhgimin e numërimit të votave”, ka thënë Delawie.

Ai ka falënderuar stafin e ambasadave amerikane nga vendet e rajonit që u janë bashkuar ekipeve të Ambasadës amerikane në Prishtinë për të monitoruar gjithë procesin zgjedhor.

Zgjedhjet në Kosovë do të vëzhgohen nga mbi 29 mijë persona, kryesisht nga stafi vendor, por edhe 100 vëzhgues nga Bashkimi Evropian si dhe vëzhgues nga ambasadat e akredituara në Prishtinë.

Vetëm gjatë fushatës zgjedhore, subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje janë dënuar me dhjetëra mijëra euro, për shkak të shkeljes së rregullave. Ndërkaq, dënimet mund të jenë shumë më të larta gjatë procesit të votimit, më 11 qershor.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme