Analisti politik dhe politologu Ardian Bytyqi mendon se tash ndodhemi përpara një situate ku vendi mund të ketë disa opsione për zgjidhje. E para vendi mund të shkojë drejtë një krize tjetër institucionale si ajo e vitit 2014 kur blloku opozitar VLAN për gati 6 muaj nuk u thye, e dyta vendi ose duhet të shkojë me një qeveri teknike për 18 muaj deri në përgaditjen e zgjedhjeve tjera të parakohshme ose Kurti të mbetet kandidati i përbashkët mes Vetvendosje dhe LDK-AKR .
Nëse ky rezultat i zgjedhjeve do të krahasohej me rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2014, shihet se PDK ka pasur humbje të konsiderueshme tek votuesit e saj, pasi ajo në 2014 kishte fituar 31.38 për qind të votave, si e vetme dhe pa ndonjë parti në koalicion, ndërsa sot PDK bashkë me dy partitë tjera AAK dhe Nisma ka marrë vetëm 34.60 për qind të votave.
Nga ky rezultat u dëshmua se fuqia e ish kreut të PDK-së Hashim Thaci mbete e pakontestuar në këtë subjekt politik derisa Thaci mbetet lideri më i votuar në vend.
Në anën tjetër LDK në zgjedhjet e kaluara ishte renditur si partia e dytë në Kosovë me 25.24 për qind të votave, AAK kishte 9.54 dhe Nisma për Kosovën 5.15 për qind të votave.
Nëse bëjmë një krahasim të zgjedhjeve të fundit lokale, duket se Lëvizja Vetvendosje ka shtrirjen më të madhe në “terrenet” e LDK-së duke përfituar më së shumti në vendet urbane dhe nga të rinjët.
Bytyqi mendon se situatën edhe më shumë mund ta komplikojë pozita e Kryetarit të Kuvendit ku Kushtetuta e Republikës së Kosovës e thot qartë në nenin 67 pika 2 se Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, që në këtë rast do ti takonte koalicionit më të madh PAN. /Sakte.net/