Ushtrues i detyrës së kryeministrit dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka vlerësuar rëndësinë e raporteve që ka vendi i tij me Mbretërinë e Bashkuar.
Vlerësimin e ka bërë sot në ceremoninë e shënimit të 180 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, që u zhvillua sot në qytetin e Kragujevacit, transmeton Koha.net.
Por Daçiq, duke folur për sfidat me të cilat ballafaqohet aktualisht dhe që e presin Serbinë, nuk ka harruar radikalizmin islamik dhe në këtë kontekst ka përmendur Kosovën, si rrezikun më të madh për sigurinë e Serbisë.
“Për Serbinë rëndësi të veçantë ka problemi në rritje i radikalizmit dhe i ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë e Metohi, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova e Metohia në luftërat e huaja si luftëtarë terroristë”, është shprehur Daçiq, transmeton Koha.net.
Ai nuk ka nguruar të thotë se “për Serbinë sfida më e madhe e sigurisë është Kosova e Metohia”.
“Nuk e pranojmë pavarësinë e shpallur njëanshëm dhe konsiderojmë se zgjidhja e përhershme dhe e qëndrueshme mund të arrihet vetëm me mjete politike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përmes dialogut neutral sa i përket statusit midis Beogradit e Prishtinës nën mbikëqyrjen e BE-së”, ka thënë Daçiq.
Siç ka thënë ai, “po përpiqemi që në kuadër të dialogut të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura”.