Dështimi i Ri i Kadri Veselit dhe Fillimi i Ri i Albin Kurtit

OPNION nga Lavdim HAMIDI

“Fillimi i Ri” i Kadri Veselit në politikë rezultoi me debakël. Partia Demokratike e Kosovës nën drejtimin e tij ka marrë tatëpjetën, duke ia rrezikuar kështu pozitën e partisë më të madhe në vend, të cilën e ka mbajtur për hiç më pak se një dekadë.

Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, PDK-ja si e vetme, pa i llogaritur votat e partnerëve të koalicionit (AAK, Nisma dhe 13 parti të tjera të vogla), me shumë gjasë nuk do të dilte partia më e votuar në vend, pasi që edhe ashtu diferenca me partinë e dytë, lëvizjen “Vetëvendosje”, e cila ka garuar e vetme në këto zgjedhje, është shumë e ngushtë.

Me moton e fushatës “Fillimi i Ri” Veseli u përpoq të shkëputet nga keqqeverisja afatgjate e PDK-së në nivel qendror dhe lokal, nga korrupsioni i lartë, që ishte rezultat i kësaj keqqeverisjeje, nga kurdisja e tenderëve dhe e konkurseve publike, por pa sukses.
Pa dyshim se votuesi kosovar ishte i vetëdijshëm se “Fillimi i Ri” në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë me politikanë të vjetër e të dyshuar për korrupsion dhe se nuk do të mundë të ketë drejtësi e as “Fillim të Ri” pa i zbuluar vrasjet politike të pasluftës, ku shumëkush ende e drejton gishtin nga Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK-u), të cilin e ka drejtuar vetë Kadri Veseli.

Askush nuk i besoi një “Fillimi të Ri” të Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt me PDK-në. Të dy këta politikanë u dëmtuan rëndë nga koalicioni parazgjedhor me partinë më të madhe në vend, ndonëse për vite me radhë e akuzonin kreun e saj (Kadri Veselin) dhe SHIK-un për montim të proceseve gjyqësore dhe kapjen e shtetit, siç thoshin, nga klani “Pronto”, prandaj si koalicion parazgjedhor i “Krahut të Luftës” humbën rreth 12 për qind të votave, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.
Votuesi nuk iu bind pohimeve se bashkimi i këtyre tre liderëve është bërë për interesa shtetërore, ashtu siç u tentua të kamuflohej fillimisht, pasi që u pa qartë se ky bashkim ishte vetëm për interesa personale e partiake.

***

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pa dyshim se nuk ka parë asnjë “ditë të bardhë” nën drejtimin e Isa Mustafës. Prejse Mustafa e ka marrë drejtimin e LDK-së, në nëntor të vitit 2010, kjo parti u godit në vazhdimësi në bastionet e saj.

Humbën komunën e Prishtinës në vitin 2013, të cilin e kanë qeverisur që nga paslufta, por u kënaqën nga koalicioni me PDK-në në vitin 2014, kur e morën drejtimin e Qeverisë.

Por, pikërisht ky koalicion i kushtoi shumë shtrenjtë Isa Mustafës dhe LDK-së, pasi që në zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit pësuan rezultatin më të dobët zgjedhor në historinë e këtij subjekti politik.

Nga vendi i parë apo i dytë që e mbanin për një kohë të gjatë në garën politike, LDK-ja ra në vendin e tretë, duke u mundur nga lëvizja “Vetëvendosje”, e cila është vetëm hera e tretë që merr pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

Nuk ishte i papritur ky rezultat për LDK-në në zgjedhjet e së dielës, kur elektorati i saj u zhgënjye rëndë nga koalicioni me PDK-në në vitin 2014, pavarësisht deklaratave të kreut të partisë se kurrë s’do të bënte koalicion me këtë subjekt politik dhe nga zgjedhja e Hashim Thaçit president të Kosovës në vitin 2016, etj.
Ndërsa ata deputetë të LDK-së që nuk e votuan Thaçin për president u lanë jashtë listave partiake zgjedhore ose u pozicionuan shumë keq, siç ishte rasti me deputeten më të votuar të LDK-së, Vjosa Osmanin, të cilës iu la vendi i 81-të në listën partiake për deputet për zgjedhjet e 11 qershorit.

***

Fituesi i vetëm moral i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit është lëvizja “Vetëvendosje” dhe kandidati i saj për kryeministër Albin Kurti.

Nga pakënaqësia me liderët që qeverisën me vendin që nga paslufta, nga shkalla e lartë e korrupsionit, nga papunësia dhe varfëria e lartë, lëvizja “Vetëvendosje” arriti t’i dyfishojë votat në raport me zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2014, derisa të gjitha partitë politike u ballafaquan me “rënie të lirë të votës”.

Vota për “Vetëvendosjen” në fakt ishte rezultat i zhgënjimit me dy blloqet tjera, të ashtuquajturin “Krahun e Luftës” dhe “Krahun e Paqes”, të cilët nuk treguan konsistencë në qëndrimet e tyre politike, duke shkelur “vijat e kuqe” sa herë që hynte në kombinim posti i kryeministrit. Dhe ky post me gjasë po u fshihet me “vijë të kuqe” të gjithë atyre që i shkelën vijat e tilla.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme