Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta pretë certifikimin e rezultateve e as koalicionin fitues për ta konsumuar të drejtën që i takon për themelimin e Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.
I propozuari për kryeministër nga subjekti që doli i dyti në zgjedhjet e 11 qershorit, Albin Kurti, qysh të martën ka shprehur synimin për ta lënë në opozitë PDK-në. Përmes një adresimi për media, Kurti ka ftuar koalicionin LDK-AKR-Alternativa në diskutim për ta krijuar Qeverinë, pasi, sipas tij, mandatari i parë do të “dështojë” ta bëjë këtë. Pjesë e tryezës, sipas Kurtit, mund të bëhen edhe ata deputetë të koalicionit fitues që janë kundër “regjimit” të vjetër.