Nënkryetari i AKR’së, njëherësh kreu i komunës së Mitrovicës së jugut, Agim Bahtiri sot gjatë ditës i ka propozuar partisë së tij që të bëjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje rreth formimit të Qeverisë.
E lidhur me propozimin e Bahtirit, lideri i AKR’së Behgjet Pacolli, thotë se ende nuk ka vendosur se me kë do të bëjë koalicion pas zgjedhor.
Kontaktuar nga Gazeta Express, Pacolli është shprehur se AKR po e pret rezultatin final të zgjedhjeve dhe për të mësuar se sa kandidatë nga partia e tij kanë siguruar ulëse në Kuvend, dhe pastaj t’i shoh opsionet se me kë do të rreshtohet për formimin e Qeverisë.
“Ne për momentin nuk kemi asnjë plan për ndonjë koalicion. Po i presim rezultatet e zgjedhjeve, t’i shohim numrat se sa deputetë po mund t’i kemi në Kuvend dhe pastaj do t’i shqyrtojmë mundësitë”, ka thënë Pacolli.
“Ne jemi parti liberale, dhe si e tillë nuk ka pengojmë mendimet e pjesëtarëve të tjerë të partisë. Z. Bahtiri ka mundur të thotë për Vetëvendosjen, por ai është mendimi i tij. Ne jemi të vendosur që t’i presim rezultatet e zgjedhjeve, dhe pastaj shohim”, ka thënë në fund kreu i AKR’së, Behgjet Pacolli.
E ndërkohë Agim Bahtiri gjatë ditës për Express ka thënë se partiatë cilës ai i takon nuk duhet që të bëjë koalicion me partitë që deri më tani kanë udhëhequr me shtetin.
“Unë kam deklaruar se në këto zgjedhje, fitues është Vetëvendosja dhe vetëm ajo është fituese në këto zgjedhje. Unë jam në koalicion me VV-në në nivelin lokal, qeverisja qëndron jashtëzakonisht mirë”, ka thënë Bahtiri./GazetaExpress/