Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri në një bisedë për zëri.info sjell një skenar në bazë të cilit mund të formohet ose jo Qeveria e ardhshme pas rezultatit të 11 qershorit.
Politologu Tahiri e bën të qartë se nëse koalicioni PAN dështon në marrjen e votave për formimin e Qeverisë, atëherë automatikisht mandatari i kthehet presidentit Thaçi.
“Nëse PAN-i nuk arrin të krijoj Qeverinë duke mos i marr votat e mjaftueshme 61 ne Kuvend ose e kthen mandatin te Presidenti në pamundësi me gjete partner koalicioni qeverisës atëherë presidenti e shfrytëzon të drejtën me caktu një mandatar të ri nga partia apo koalicioni që e dëshmon se i ka votat e nevojshme në Kuvend për ta votuar Qeverinë”, ka thënë Tahiri. Duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese lë hapësirë që mbledhjen e nënshkrimeve ta bëjë cilido subjekt politik në vend pa marrë parasysh renditjen në rezultatin e 11 qershorit.
“Kjo mund të bëhet me nënshkrime të deponuara të deputeteve duke pasur të drejtën që një deputet të jetë nënshkrues vetëm një herë. Këtu vendimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2014 e lenë mundësinë që mbledhjen dhe paraqitjen e nënshkrimeve të Presidentit mund ta bëjë cilido subjekt politik pa marrë parasysh a është i dyti apo i treti duke mos përjashtuar as të parin. Dëshmia për pasjen e së paku 61 votave në Kuvend nuk dëshmohet vetëm me nënshkrimet e deputetëve por mund të paraqiten edhe mënyra e prova e dëshmi të tjera”, ka theksuar Tahiri. Me ç ’rast tregon se në duart e presidenti mbetet vendimi për mandatarin e dytë, i cili do formojë Qeverinë.
“Në të drejtën e Presidentit mbetet vendimi së kënd do të mandaton për herën e dytë përkatësisht si mandatar tjetër për formimin e Qeverisë. Nëse Qeveria më pastaj zgjidhet në Kuvend konsiderohet punë e kryer dhe e suksesshme mirëpo nëse Qeveria edhe këtë herë nuk zgjidhet atëherë vendi shkon në zgjedhje parlamentare të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve të dekretuara nga Presidenti”, ka shtuar ai për “Zeri.info“.
Më tej, Tahiri tregon se nëse ndodh që vendi të shkojë prapë në zgjedhje duhet të vihet nën llupë veprimi i presidentit Thaçi karshi mandatarit të dytë.
“Nëse ndodh shpallja e zgjedhjeve atëherë duhet të shihet a e bëri këtë Presidenti Hashim Thaçi me qëllim duke mos ia dhënë mandatin subjektit dhe kandidatit të duhur që do ti kishte votat për Qeverinë. Në këtë rast nuk është mbrojtje për Presidentin Thaçi shfrytëzimi i të drejtës së tij disrecionale”, thotë tutje Tahiri. I cili thekson se pas kësaj lënda do dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, dhe është pikërisht kjo e fundit e cila sipas Tahirit do vendos për fatin e presidentit.
“Lënda do të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim dhe nëse Gjykata vendose që Presidenti ka bërë shkelje kushtetuese për shkak të pazotësisë për të marr vendimin e duhur për mandatar, me qëllim ose jo, atëherë Presidenti shkarkohet me automatizëm nga Kuvendi i Kosovës formalisht me dy të tretat e votave. Edhe në rastin që në Kuvend nuk bëhen 80 votat e nevojshme për shkarkim të Presidentit vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i pakthyeshëm dhe i pa negociueshëm dhe përfundimtar”, ka thënë Tahiri.
Politologu, është i mendimit se bërja e Qeverisë duhet të shkojë në rrugën e procedurave kushtetuese e ligjore.
“Do te respektohen procedurat kushtetuese e ligjore që nënkupton se Presidenti e miraton propozimin e koalicionit për mandatarin për formimin e Qeverisë të cilin propozim e njofton Kuvendin. PAN -i vendos a do te jetë ky kandidat Haradinaj apo dikush tjetër duke e marrë një vendim të tillë konform marrëveshjes dhe kompromisit me partnerët e koalicionit qeverisës duke qene të ndërgjegjshëm se PAN -i me 38 deputet i nevojiten se paku edhe se paku 23 deputet për ta pasur votën e mjaftueshme për të zgjedhur Qeverinë e Kosovës në Kuvend”, ka përfunduar Tahiri./Zëri