Albert Krasniqi nga KDI, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka folur për procesin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.
Duke folur për parregullsitë e këtij procesi, Krasniqi tha se KQZ po merret me to.
“Numri i kutive me fletëvotime të parregullta i tejkalon të gjithë parametrat e zgjedhjeve të mëhershme. Qëllimi për rinumërim është i mirë sepse ka pasur mospërputhje të mëdha mes fletëvotimeve brenda kutive të votimit dhe procesverbaleve të nënshkruara nga komisionerët”, tha Krasniqi.
Sipas tij, revolta më e madhe nuk janë fletëvotimet e parregullta, por mos-pjesëmarrja e një pjese të madhe të popullatës në zgjedhje.
“E mira është se të gjitha subjektet politike po i pranojnë rezultatet dhe nuk besoj se do të ketë përsëritje të zgjedhjeve në ndonjë qytet a komunë”, shtoi Krasniqi nga KDI.
“Sa i përket krizës, partitë politike mund të befasojnë në çdo moment. Partitë dinë të nxjerrin bllokada. Rasti i parë që mund të ndodh është nëse PAN të mos nominojë asnjë kandidat për kryeparlamentar, gjë e cila mund të zgjas procesin. Këtë mundësi e kam dëgjuar nëpër qarqe të PAN-it”, ka deklaruar Krasniqi.
Duke iu referuar rastit të pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur thirrja për seancën konstitutive është prolonguar, ai tha se kjo nuk guxon të ndodhë më.
“Konstituimi i institucioneve shtetërore nuk guxon të mbetet në vullnetin e një individi”, theksoi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, në rast se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e mandaton grupin e dytë parlamentar për të formuar Qeverinë (nëse grupi i parë parlamentar, gjegjësisht partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve nuk arrin t’i bëjë 61 deputetë), atëherë ky grup mund të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dëshminë se i kanë numrat për formimin e Qeverisë.
© KOHA.