Çka i ka thënë Hoyt Yee Vucic’it para zgjedhjeve në Kosovë? Cili do të jetë pozicioni i Listës Serbe në bisedimet për krijimin e Qeverisë së Kosovës?
Burime diplomatike në Prishtinë dhe në Beograd kanë thënë për Politiko.net që rezultati i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë po përcillet me një interesim të madh nga instancat më të larta të Serbisë, në radhë të parë nga Presidenti Aleksandar Vucic.
Hoyt Yee, Zëvendës-Asistent Sekretari i Shtetit Amerikan, i cili vazhdon të jenë niveli më i lartë në Washington që merret me Ballkanin, gjatë qëndrimit të tij në Beograd disa javë më parë, sipas një diplomati perëndimor që shërben në Beograd, dhe që foli për Politiko.net me kushte të anonimitetit, është takuar me Vucic.
Njëra prej porosive të Yee për Presidentin e Serbisë ishte që në Kosovë, në zgjedhjet e jashtëzakonshme, pritet fitorja e sigurt e Koalicionit PDK, AAK, Nisma, ose që ky koalicion do të fitojë mjaft mandate të deputetëve shqiptarë, ashtu që me deputetët e komuniteteve pakicë do të mund ta krijojnë Qeverinë e re të Kosovës pa probleme të mëdha.
Yee kishte parë të arsyeshme t’ia bëjë me dije Vucic’it që Ramush Haradinaj ka gjasa të mëdha të bëhet Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, ashtu që Beogradi zyrtar ta ketë parasysh që Haradinaj do të jetë në ballë të Qeverisë së Kosovës dhe që për këtë shkak do të duhej ulur retorikën që për muaj të tërë është shquar me akuzat e lloj-llojshme publike ndaj ish-Kryeministrit të Kosovës.
Për këtë shkak, Vucic, sipas këtij diplomati perëndimor, është zënë në befasi, pasi që janë bërë publike rezultatet preliminare të votimeve për Kuvendin e Kosovës.
Në anën tjetër, sipas këtij diplomati, porosia kryesore e Vucic për politikanët serbë të Kosovës të tubuar te Lista Serbe është që ata nuk duhet të ofrojnë votën e tyre për partitë ose koalicionet e subjekteve shqiptare, pa kuptuar se cili prej tyre ka mbërritur numrin minimal të deputetëve shqiptarë për ta formuar Qeverinë e Kosovës, ose shifrën prej së paku 41 deputetëve shqiptarë.
Kur bëhet fjalë për kërkesat që do t’i artikulojë Lista Serbe në bisedimet me partitë/ koalicionet e subjekteve shqiptare, dihet që Marko Djuric para disa ditësh përmendi mundësinë që kjo Listë do të kërkojë për vete njërën prej pozitave më të rëndësishme në institucionet qendrore të Kosovës, ku në radhë të parë shihet posti i Kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë, sipas një diplomati perëndimor që shërben në Prishtinë, fjala është për pozicionet fillestare në bisedimet që priten në mes të Listës Serbe dhe partnerëve të saj politikë shqiptarë.
Në Beograd e dinë që nuk mund të merret posti i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, por në emër të ‘lëshimit pe’ në këtë rast mund të kërkohen kompromise të tjera sa i përket përbërjes së Qeverisë së ardhshme të Kosovës.
Sa i përket zhvillimeve në vetë skenën politike të Serbisë, sipas burimeve diplomatike perëndimore, nominimi nga ana e Presidentit të Serbisë i Ana Brnabic për postin e Kryeministres së Serbisë, shihet si një veprim i mençur i Vucic, sepse Brnabic llogaritet si një politikane pro-perëndimore në Qeverinë e Serbisë.
Megjithatë, nuk pritet që Brnabic të ketë farë roli në bisedimet e Brukselit, ose ka të ngjarë që për herë të parë që prej se janë lansuar këto bisedime në mes të Prishtinës dhe Beogradit, së pari në nivelin teknik (në vitin 2011), e pastaj edhe në atë politik (në vitin 2012), Kryeministri i Serbisë nuk do të jetë pjesë e Delegacionit të Serbisë.
Sipas të gjitha gjasave, Vucic tash e tutje në dialogun e Brukselit do të shoqërohet nga Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, që edhe ashtu ka përvojë me takimet me liderët e Kosovës dhe ka qenë pjesë e këtij procesi që nga tetori i vitit 2012. / Politiko.