Partitë politike në Maqedoni kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet lokale. Që tani, vendbanimet me popullatë të përzier, shqiptare dhe maqedonase, kanë filluar të bëjnë përllogaritjet e koalicioneve dhe bashkëpunimeve parazgjedhore.
Natyrshëm, partitë në pushtet janë më të predispozuara që të bashkëpunojnë për të arritur objektivat e tyre.
Në këtë rrafsh, nuk përjashtohet bashkëpunimi i Bashkimit Demokratik për Integrim me Lr PDSH’në e Ziadin Selës për komuna të caktuara.
Mirëpo, mbetet diskutabile nëse të njëjtën qasje do ta ketë edhe opozita aktuale shqiptare, Lëvizja BESA dhe PDSH e Menduh Thaçit.
Gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami kishte deklaruar se nuk do të bashkëpunonte me një parti e cila udhëhiqet nga një njeri që i betohej me besnikëri deri në vdekje ish shefit të shërbimeve sekrete, Sasho Mijalkov. Si rezultat, Lëvizja BESA doli të jetë partia e dytë shqiptare në Maqedoni me 58 mijë vota të fituara, ndërsa PDSH e Menduh Thaçit vetëm gjysmën, rreth 30 mijë vota që është edhe suksesi më i dobët që kjo parti ka shënuar deri më tani./Sakte.net