Një pjesë e Kalasë së Vushtrrisë i është dhënë në shfrytëzim për restorant Mentor Salihut, dajës së kryetarit të Vushtrrisë Bajram Mulaku.
Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës ia ka dhënë në shfrytëzim pesëvjeçar një pjesë të Kalasë e Vushtrrisë Mentor Salihut që është daja i kryetarit të Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku.
Salihu ka nisur të punojë për ta ndërtuar një restorant brenda hapësirës së kalasë, ndërsa veprimin e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve nuk e ka pritur mirë drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë Shpresa Rama.
“Monumenti në fjalë, i cili radhitet ndër të parët në vendin tonë si më i shfrytëzuari nga qytetarët e regjionit dhe gjithë Kosovës, është dhënë nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në shfrytëzim për t’u kthyer në restorant, pa dijen time dhe pa asnjë paralajmërim që diçka e tillë është duke ndodhur”, shkroi Rama në Facebook.
Agim Gërguri ushtrues detyre i drejtorit të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, reagimin e drejtoreshës Rama e ka quajtur të çuditshëm.
“Kjo e bën tejet të çuditshëm këtë reagim kaq të pavend sot, por, mbase Drejtoresha mund të ketë reaguar edhe pa dijeninë e kryetarit Mulaku. Ndryshe, nuk besojmë se do të dilte ky reagim kaq i paanalizuar, i pambështetur dhe pa asnjë bazë ligjore”, tha Gërguri për KALLXO.com.
Gërguri kryetarin e Vushtrrisë e konsideroi njeri që i kushton rëndësi mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
“Tek kryetari Mulaku, si rrallëherë në Kosovë kemi gjetur mbështetje e gatishmëri të lartë për bashkëpunim në funksion të ruajtjes dhe mbrojtjes së monumenteve të trashëgimisë kulturore që gjenden në Komunën e Vushtrrisë”, tha Gërguri.
Kryetari Bajram Mulaku e pranoi se e ka dajë Mentor Salihun, personin që iu dha një pjesë e kalasë në shfrytëzim, por mohoi se ka gisht në këtë punë.
“Unë atë e kam dajë mirëpo ju them me pergjegjësi morale e ligjore se s’kam pasë gisht në këtë punë, e as që kam qenë në dijeni se çka po ndodh, mirëpo gjithmonë kam qenë i interesuar që kalaja të funksionalizohet në të mire të qytetarëve”, tha Mulaku.
Edhe Mentor Salihu tha për KALLXO.com se lidhja familjare me Mulakun nuk i ka ndihmuar ta marrë në shfrytëzim një pjesë të kalasë në Vushtrri.
“Unë kam aplikuar fillimisht në Zyrën Rajonale në Mitrovicë e më pastaj në Prishtinë, jam paisur me leje shfrytëzimi me datën 6 të këtij muaji që një pjesë e kalasë të shndërrohet në restorant, kurse pjesa tjetër do të mbetet për shfrytëzim të vizitorëve të cilët do e vizitojnë kalanë pa u penguar nga askush”,tha Salihu.
Shfrytëzuesi i kalasë nuk dha detaje rreth kushteve të kontratës.
Edhe Agim Gërguri nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve nuk dha shumë detaje për këtë çështje, por siguroi se gjithçka është bërë sipas ligjit.
“Fillimisht, me rekomandimin e Komisionit Profesional për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave dhe Projekteve Konservuese-Restauruese të Trashëgimisë Kulturore i cili funksionon brenda IKMM-së, janë shqyrtuar, vlerësuar dhe aprovuar të gjitha ndërhyrjet që propozohen me projektin për restaurim të kalasë, në të cilin përfshihet edhe mirëmbajtja e vazhdueshme me qëllim të ndalimit të degradimit”, tha Gërguri.
Ai tregoi se restoranti brenda kalasë ishte pjesë e projektit.
“Po ashtu, pjesë e projektit ka qenë edhe vënia në funksion e një hapësire për shfrytëzim në fushën e gastronomisë nga ana e investitorit. Për këtë projekt ekziston edhe vendimi përkatës i IKMM-së si institucion kompetent”, shpjegoi Gërguri.
Ndërsa drejtoresha Shpresa Rama ka thënë sot për KALLXO.com se do të kerkojë qasje në të gjitha dokumentet për ta parë se si është dhënë në shfrytëzim kjo hapësirë.
Por restoranti brenda kalasë mund të nxisë protesta.
Një grup i të rinjve të Vushtrrisë në rrjete sociale kanë bërë thirrje për protesta popullore për të ndaluar punimet në restorantin që po ndërtohet në hapësirën e kalasë.
“Kam bërë një postim me të cilin ftojmë qytetarë, përfaqësues të shoqērisë civile por edhe mediat që të na bashkohen në protestën tonë kundēr shkatërrimit të së kaluarës dhe tē tashmes sonë”, tha Leonora Aliu, njëra nga ata që e do kalanë ashtu si ka qenë.
Ajo tregoi për KALLXO.com edhe cilat janë kërkesat e grupit që kundërshton restorantin në kala.
“Kërkesa jonë e parë është që të stopohen punimet për restorant që veç kanë filluar dhe të revokohet vendimi në mënyrë që kalaja t’u kthehet qytetarëve dhe qytetit. Arsyetimi se projekti i Salihut ka për qëllim funksionalizimin e kalasë dhe mbrojtjen e saj nuk qēndron sepse Kalaja ka qenë funksionale ngase ka qenë hapësira e vetme kulturore e shfytëzuar për aktivitete nga të rinjtë”, tha Aliu.
Bajram Mulaku kur kandidonte për zgjedhjet lokale të vitit 2013 në Debatin “Jeta në Komunë” kishte paralajmëruar që në kalanë e Vushtrrisë do të ndërtohet një restorant.
Kalaja e Vushtrrisë sipas Databazës së Trashëgimisë Kulturore të Ministrisë së Kulturës është ndërtuar në shëkullin VII.
Në Vushtrri edhe te Ura e Vjetër e Gurit funksionon një restorant për të cilin Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar se nuk po e zbaton në tërësi kontratën e nënshkruar me komunën për shfrytëzim të hapësirës afër urës.
36 blloqe gurësh të kësaj ure të kohës së Mesjetës u shembën në shkurt të këtij viti.