Është bërë më shumë se një muaj qëkur janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme në vend, e 10 ditë nga certifikimi i rezultateve, kurse Kosova nuk ka ende institucione të reja. Edhe pse ishte premtuar nga koalicioni fitues se Kuvendi dhe Qeveria do të krijohen në javën e parë e më pas në të dytën të afatit ligjor prej 30 ditësh, tash seanca konstituive e Kuvendit është shtyrë të paktën deri më 27 apo më 28 korrik, shkruan “Zeri”.
Kështu kanë bërë të ditur zyrtarë të koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN), të cilët kanë thënë se arsyeja e këtij vendimi ka të bëjë me pushimet e deputetëve dhe me çështje teknike të Kuvendit, e jo me problemet me numra. Por, përfaqësuesit e subjekteve të tjera parlamentare konsiderojnë se nuk ka pasur asnjë arsye për t’u marrë ky vendim. Përkundrazi, sipas tyre, seanca do të duhej të mbahej pikërisht gjatë kësaj jave.