Bashkimi Europian ka anuluar një donacion prej 7.8 milionë eurosh për Mitrovicën e veriut.
Këtë e ka bërë të ditur Zyra e BE’së në Kosovë përmes një njoftimi. “Sot, Zyra e BE’së në Kosovë ka anuluar një ndihmë financiare me vlerë 7.8 milionë euro për Mitrovicën veriore”, thuhet në këtë njoftim, transmeton gazetametro.net
Ky donacion ishte ndarë nga BE’ja për ndërtimin e një ndëtesë të re për universitetin dhe një qendër kulturore, por anulimi ka ardhur pasi autoritetet në Mitrovicën e veriut nuk kanë larguar objektet ilegale ekzistuese dhe e kanë pamundësuar zhvillimin e punimeve, duke detyruar autoritetet evropiane që donacioni të tërhiqet.
“BE’ja, që kontribuon me 100 milionë euro çdo vit për zhvillimin e Kosovës, mbetet e përkushtuar që të punohet me autoritetet kosovare për zhvillimin e kulturës, edukimit, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik”, thuhet në njoftim.
Ndërtesa e re e Universitetit të Mitrovicës veriore që ishte parashikuar të ndërtohet me këto para do të kishte pesë kate me bodrum dhe të gjitha elementet e nevojshme edukative brenda saj, Ajo ishte paraparë të kushtonte 4.5 milionë euro, kurse qendra kulturore 3.3 milionë euro.