Qyteti i Çikagos u trondit gjatë fundjavës që i parapriu Ditës së Punës, nga incidente vdekjeprurëse, kur u vranë me armë zjarri 13 njerëz, duke e çuar ritmin e vrasjeve për këtë vit në nivele të papara në dy dekada.
Departamenti i Policisë së Çikagos i tha Zërit të Amerikës se këtë vit janë vrarë 488 persona, shumica e tyre nga armët e zjarrit, një shifër që qyteti i tretë më i madh amerikan nuk e ka përjetuar që nga vitet 1990, kur numri i vrasjeve ishte më i larti: mbi 900 vrasje në vit.
Gazeta “The Chicago Tribune” njoftoi se numri i personave të vrarë këtë vit ka arritur në 512 vetë, një shifër më e lartë se ajo e dhënë nga Departamenti i Policisë, ku nuk përfshihen vrasjet në zonat e autostradës dhe ato që janë përcaktuar si “të justifikueshme”.
Shifra e të vrarëve vetëm brenda qytetit ishte 481 vetë gjatë vitit të kaluar. Vrasjet e Fundjavës së Ditës së Punës ndodhën pas 90 vrasjeve gjatë muajit gusht, shifra më e lartë për qytetin që nga qershori i vitit 1993.
Numri i vrasjeve në Çikago gjatë vitit të kaluar ia kaloi shifrës së përbashkët të Nju Jorkut me Los Anxhelosin, qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara.
Policia e qytetit fajëson për këtë rritje të numrit të vrasjeve shkelësit e vazhdueshëm të ligjit dhe përhapjen e armëve pa leje.
“Dhuna në përmasa historike që shohim në disa komunitete duhet të marrë fund”, tha Inspektori i Policisë së Çikagos Eddie Johnson, përmes një deklarate muajin e kaluar. “Personat që shkelin vazhdimisht rregullat për mbajtjen e armëve në qytetet tona nuk duhen lënë të veprojnë dhe ka ardhur koha që të ndryshojmë ligjet, me qëllim që personat që i shkelin ato të mbahen përgjegjës për krimet e tyre.” – tha inspektori, njofton VoA.
Policia thotë se shumica e vrasjeve kanë ndodhur në lagjet jugore dhe perëndimore të qytetit, ku 75 organizata të komuniteteve organizuan mbrëmje festive, koncerte dhe aktivitete të tjera në natyrë gjatë fundjavës së festës, në përpjekje për të pakësuar dhunën.
Edhe pse ritmi i krimeve në Çikago dhe në pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara është shumë më i ulët se në vitet 1990 dhe 1995, vitin e kaluar pati një rritje të konsiderueshme të numrit të vrasjeve në shumë qytete të mëdha të vendit.