Deputeti i ri nga AKR-ja Korab Sejdiu, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se bisedimet mes koalicionit LAA dhe Lëvizjes Vetëvendosje kanë arritur një progres të caktuar dhe se beson që do të arrihet një koalicion mes tyre.
“Lidhur me bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje ka pasur disa takime kanë qenë në nivel programor, është arritur një progres i caktuar. Shpresoj që do të bëhet, do të realizohet një koalicion mes dy partive dhe me dështimin e koalicionit PAN që ta themelojë qeverinë, atëherë të bartet timoni tek koalicioni i gjerë që do të përfshijë koalicionin tonë dhe Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka përsëritur edhe njëherë se koalicioni në të cilin ai bën pjesë nuk do të votojë qeverinë e formuar nga PAN.
Përveç kësaj ai tha se po presin që koalicioni fitues të propozojë kandidatin për kryeparlamentar dhe më pas do të vendosin nëse do ta votojnë apo jo.
Mirëpo ai pret që kushdo që propozohet të jetë i pranueshëm për të gjithë deputetët e Kuvendit.
“Në momentin që shpallet kandidatura e dikujt për kryeparlamentar, atëherë natyrisht edhe ne do të deklarohemi lidhur me personin në fjalë. Vetëm kisha shtuar që kisha pas dëshirë që çfarëdo kandidati që të kandidohet nga ana e koalicionit PAN të jetë dikush që është i pranueshëm për të gjithë ata që janë deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe natyrisht që të mundësoj njëfarë roli unifikues të krye parlamentarit i cili do ta ndihmojë funksionimin normal të Parlamentit”.