Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka kujtuar se sot bëhen 6 vjet nga veprimi policor i qeverisë së atëhershme të Kosovës në veri të vendit.
Në një prononcim në profilin e tij në Facebook, Selimi ka thënë se nga kreu i qeverisë së atëhershme u proklamua si aksion i suksesshëm në shtrirjen e sovranitetit të vendit në komunat veriore të vendit të cilat, siç ka thënë, sikurse edhe sot, ishin jashtë kontrollit të shtetit të Kosovës.
“Siç u pa atëherë dhe siç edhe e pranuan ministri i atëhershëm i brendshëm dhe kryeministri i atëhershëm, aksioni ishte i pamenduar mirë, pa plan operacional dhe pa mjetet e nevojshme për realizimin e një veprimi policor. Ky veprim politiko-avanturesk doli të ishte fatal për jetën e një oficeri policie dhe për sovranitetin e integritetin territorial në pjesën veriore të vendit. Atë ditë, një aventurë politike e kryeministrit të atëhershëm i kushtoi me jetë oficerit të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi dhe Kosovës i kushtoi me ndarje edhe më të theksuar se sa që ishte”, ka thënë Selimi.
Prandaj, sipas Selimit, sot 6 vjet më vonë, në dritën e veprimeve që ndodhën që nga ngritja e barikadave në 2011-ën e deri te konspiracionet me murin te ura e Ibrit dhe me “trenin rus”, po rezulton se krejt kjo çfarë ndodhi atje ishte i planifikuar dështimi i policisë dhe i shtetit të Kosovës.
“Pra, që nga 25 korriku e deri te ‘treni rus’ u duk sikur aksioni policor ishte i paplanifikuar, por doli që vetë dështimi ishte plani Kryeministrit të atëhershëm dhe i të ashtuquajturit presidenti aktual i Kosovës. Atje u planifikua të dështojë shteti i Kosovës për të mos dështuar planet e Serbisë në Kosovë, duke i hapur rrugë kështu një raundi të ri të negociatave në Bruksel nga të cilat përfitoi Serbia në secilën marrëveshje”, ka thënë Selimi.
“Por, njëkohësisht, në këtë datë, e kujtojmë me respekt dhe e çmojmë shkrificën e secilit polic të Kosovës që u treguan të gatshëm t’i dalin në mbrojtje të vendit, Kushtetutës dhe ligjit. Veçanërisht kujtojmë Enver Zymberin – dëshmorin e Kosovës, për të cilin kërkojmë që kryerësit të aktit terrorist kundër Policisë së Kosovës të dalin para drejtësisë dhe po ashtu të ngarkohen me përgjegjësi ata që e futen policinë e Kosovës në kurthat e politikës konspirative në dëm të sovranitetit dhe të interesave strategjike të Kosovës”, ka thënë tutje ai.
© KOHA.