“Më datën 3 gusht do ta kemi seancën konstituive, në të njëjtën kohë do t’i kemi hapat të cilët do të ndërmerren për kandidaturat e propozuara për kryetar të Kuvendit, i cili domosdoshmërisht do të jetë nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga koalicioni PAN. Për vendimmarrje do t’ju njoftojmë”, ka deklaruar Veseli pas mbledhjes së fundit që pati kryesia gjatë ditës së djeshme, shkruan Zëri.
Mirëpo Rasim Selmanaj, anëtar i Kryesisë së AAK-së, njëherësh deputet nga radhët e koalicionit PAN, ka thënë se kandidati për kryeparlamentar, Kadri Veseli, do të votohet më 3 gusht. “Seanca konstituive duhet të mbahet dhe kryeparlamentari duhet të zgjidhet sepse duhet vazhduar me procedura. Sigurisht se do të votohet z. Veseli, në mënyrë që të shkohet më tutje”, ka deklaruar ai më tej, ku ka thënë se PAN-i i ka votat për ta bërë Qeverinë dhe për ta zgjedhur kryeministër Ramush Haradinajn.
“E kemi thënë, Ramushi do t’i marrë votat e deputetëve dhe do të bëhet kryeministër”, ka potencuar ai. Ndërkohë, ka thënë se Qeveria mund të votohet të njëjtën ditë kur do të konstituohet Kuvendi, por edhe pak ditë më tej.