Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj akuzave të fundit që Partia Demokratike e Kosovës i ka bërë në drejtim të tyre.
VV thotë se “rënia e ndjeshme e PDK-së në zgjedhjet e fundit, ku humbi 14 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka tronditur aq shumë këtë parti, saqë duket se e ka të pamundur këndelljen, prandaj edhe ka filluar një fushatë shpifëse që e bën aq të dukshme gjendjen e rëndë të saj”.
Dyfishimi i Vetëvendosjes në anën tjetër, sipas kësaj partie, “që ka bërë që të jemi partia më e madhe në vend, e ka futur në panik të thellë këtë parti, e cila për vite të tëra përmes klanit “Pronto” e ka kapur në gjitha format shtetin dhe tashmë po frikësohet nga çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit”.
“Së fundi, nga zyrtarë të kësaj partie u plasua shpifja se deputeti Dardan Molliqaj dha dorëheqje nga pozicioni i Sekretarit Organizativ për shkak të presionit nga ambasadat, shpifje kjo e radhës, e cila është manifestim i frikës që klani “Pronto” e ka nga qeverisja e Vetëvendosjes dhe vendosja e një sistemi të mirëfilltë të drejtësisë”, thotë Vetëvendosje në një reagim dërguar mediave.
Deputeti Molliqaj, i cili renditet në mesin e dhjetë deputetëve më të votuar në vend, sipas VV-së, i ka dhënë tashmë arsyet e dorëheqjes, të cilat përmblidhen në angazhimin e mëtutjeshëm që ai do ta ketë në Kuvend “për ta luftuar klanin ‘Pronto’ së bashku me deputetët e tjerë të Vetëvendosjes, e cila do ta ketë grupin më të madh parlamentar në Kuvend”.
“Dhe pikërisht kjo luftë të cilën e kanë frikë aq shumë ky klan kriminal, është arsyeja pse PDK ka filluar të sajojë shpifje, të cilat në asnjë mënyrë nuk do ta shpëtojnë nga rënia e vazhdueshme dhe përgjegjësia që duhet ta japin për dëmin që i kanë shkaktuar vendit”, theksohet më tej në këtë reagim.
Lëvizja Vetëvendosje thotë se mbetet e përkushtuar dhe do të angazhohet fuqishëm për një mendësi të re qeverisëse, e cila çrrënjos krimin dhe korrupsionin, si dhe mundëson një shtet të së drejtës, një shtet zhvillimor e social.
“Kjo sigurisht që është e papranueshme për klanin ‘Pronto’ sepse një shtet i tillë që vë në pah veprimtarinë e tyre kriminale dhe i mbanë përgjegjës për të, është i frikshëm për ta”, ka përfunduar VV.
© KOHA.