Besoj se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ndërmarrë një vendim dhe vlerësim të mençur prej burrështetasi që “fjalën më të shtrenjtë serbe” dhe “çështjen më të shtrenjtë serbe” nuk mund ta zgjidh vetëm një kokë, qoftë ajo edhe më e mençura.
Kështu ka thënë për “Tanjugun” serb, historiani dhe nënpresidenti i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Predrag Markoviq, në lidhje me thirrjen e presidentit serb për një dialog të gjerë shoqëror për çështjen e Kosovës.
Thirrjen e Vuçiqit, Markoviqi e sheh si dëshirë të tijën për të mbledhur të gjitha forcat mendore dhe politike të popullit serb, pasi që, siç thotë ai, çështja e Kosovës është unike në Evropë sepse asnjë shtet tjetër nuk ka problem të këtillë.
Sipas fjalëve të tij, asnjë shtet tjetër përpos Serbisë nuk ka përjetuar që në paqe “ish-aleatët e saj në Lufta Botërore t’i marrin pjesë të territorit dhe të bëjnë para-shtet pa asnjë referencë në të drejtën ndërkombëtare”.
“Për një problem kaq të pazakontë nevojiten natyrisht edhe zgjidhje të pazakonta. Propozimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës të nisura nga Dushan Batakoviq, Dobrica Qosiq, Dejan Despiqa i ka shkelë rrota e historisë. Na nevojiten zgjidhje të reja, të cilat në vete thonë se çfarë në të vërtetë mund të realizojmë në Kosovë”, thotë Markoviq, transmeton Koha.net.
E kjo do të thotë, paralajmëron Markoviq, se ka ardhur koha që edhe ne të jemi të ndershëm me vetveten, që ai dialog në shoqërinë tonë të mos reduktohet në fraza.
“Ato që priftërinjtë e Kishës ortodokse serbe i thonë për Kosovën, janë fraza. Këto propozime duhet të jenë të drejta. Perandori japonez dikur pati thënë shumë mirë se vjen një moment kur duroni të padurueshmen dhe vuani të pavuajtshmen. Këtë e ka thënë pas rënies së bombave atomike në Japoni. Kështu edhe ne duhet thënë të vërtetën zëshëm, cilado qoftë ajo dhe që i tërë opinioni të jetë i njoftuar”, ka shtuar Markoviq.
Për të nuk ka asnjë dilemë se shumica e serbëve do të donin ta shihnin një Kosovë pa shqiptarë në shtetin serb.
“Ne asnjëherë s’e kemi ditur se çfarë do të bëjmë me shqiptarët. Në Kosovë ekziston një masë e madhe e popullit që urren shtetin tonë dhe kjo është si pasojë e atij ekuacioni të pazgjidhur nga e gjithë elita politike”, thekson ai, transmeton Koha.net.
Historiani serb mendon se do të ishte mirë që të dilet në publik me propozime të ndryshme, të cilat nuk janë as fraza patriotike e as parulla demagogjike.
© KOHA