Pas vdekjes brenda 48 orëve të babë e bir, shfaqen raste të reja. Frikë nga epidemia

Babë e bir nga fshati Simnicë i Gostivarit kanë vdekur brenda dy ditësh si pasojë e një sëmundjeje të rëndë infektive.

Viktimat ishin të moshës 24 dhe 50 vjeç dhe ndërruan jetë në Klinikën e Shkupit me simptoma të temperaturës së lartë dhe diarre.

Përveç tyre, në Klinikën infektive në Shkup janë shtruar edhe persona të tjerë nga e njëjta zonë dhe me simptoma të njëjta. Mjekët ende nuk e dinë se për çfarë sëmundje bëhet fjalë, ndërkaq thonë se sëmundja nuk është e transmetueshme nga njerëzit tek njerëzit por nga kafshët apo insektet.

“Bëhet fjalë për gjendje fibrile tek të dy rastet me dëmtim të mushkërive të zeza dhe veshkave e cila mund të ketë shkaktarë të shumtë të cilët mund të përfundojnë me pasoja fatale. Bëhet fjalë për persona në moshë të re të cilët nuk kanë qenë të prekur nga sëmundje tjera tek të cilët një gjendje e tillë nuk ka qenë e pritur me karakter të shpejtë. Në rastin konkret nuk bëhet fjalë për sëmundje të cilat kanë nivel të lartë të bartjet tek njerëzit. Bëhet fjalë për sëmundje e cila bartet nga lloje të ndryshme të kafshëve”, deklaroi Zvonko Milenoviq, Drejtor i Klinikës për Sëmundje Infektive.

Viktima 24 vjeçar ka ndërruar jetë pak orë pasi është sjellë për mjekim në Shkup kurse prindi i tij ka qenë i shtruar në spital tre ditë para se të ndërronte jetë. Infektologu Ilir Demiri tha se pavarësisht pasojave fatale nuk ka vend për shqetësim.

“Nuk ka vend për panik nuk ka vend për mërzi. Lista e dyshimeve është e pafund por me të gjitha mundësitë që i kemi për diagnostifikim i kemi marrë analizat”, tha Ilir Demiri, Infektolog.

Shërbimet epidemiologjike janë në terren dhe do të konstatojnë nëse ka nevojë për shpallje të gjendjes së epidemisë, sepse një pjesë e pacientëve të shtrirë janë në lidhje familjare. Në Klinikën Infektive nuk është shpallur karantin, por pacientët janë izoluar në hapësira të veçanta. Ndërkohë po kryhen analiza që të vërtetohet se për çfarë sëmundje bëhet fjalë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme