Sanksionet e reja anti-ruse, gati për miratim në Senat

Udhëheqësit republikanë në Kongresin e Shteteve të Bashkuara thanë se kanë arritur marrëveshjen që i hap rrugë miratimit përfundimtar të ligjit për sanksione të reja kundër Rusisë.

 

Projektligji u miratua pothuajse njëzëri në Dhomën e Përfaqësuesve më 25 korrik, por rrezikonte rezistencën në Senat nga ligjvënësit që kundërshtonin vendimin e Dhomës së Përfaqësuesve për t’ia bashkuar sanksionet kundër Koresë së Veriut projektligjit fillestar të Senatit, i cili është përqendruar ekskluzivisht në ndëshkimin e Rusisë dhe Iranit.

“Jam i lumtur të njoftoj se kemi arritur marrëveshje që do të na mundësojë të dërgojmë ligjin e sanksioneve në tryezën e presidentit”, tha kreu i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Corker.

Mbështetja e fuqishme dypartiake për legjislacionin në Kongres vë presion mbi presidentin amerikan, Donald Trump, që ta nënshkruajë atë.

Sanksionet e reja synojnë të ndëshkojnë Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe për ndërhyrjen e dyshuar të saj në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Presidenca e Trumpit prej fillimit ka qenë e turbullt nga akuzat se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje në favor të tij.

Zyrtarët rusë, që kanë mohuar ndërhyrjen në zgjedhje, kanë kritikuar projektligjin e sanksioneve të reja, duke thënë se ai shënon “një hap përpara në shkatërrimin e perspektivave për normalizimin e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Moskës”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi kanë vendosur sanksione mbi Rusinë qysh në vitin 2014, për shkak të përfshirjes së saj në luftën në lindje të Ukrainës dhe aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme