Pasi më parë tre zyrtarë të lartë të FBI-së zbritën në Tiranë për të kordinuar punët me njesinë e ngjashme shqiptare që pritet të nisë udhë, sot kanë mbrritur dymbëdhjetë oficerë amerikanë të Byrosë Federale të Hetimit, të cilët do të trajnojnë grupin që do të përfshihet në Byronë Kombëtare të Hetimit, institucionin homolog shqiptar, i cili nis nga puna me fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi.
Oficerët FBI-së janë të specializuar kryesisht në operacionet për gjetjen dhe gjurmimin e pastrimit të parave por edhe në gjurmimin e transaksioneve financiare. Kontigjenti që ata do trajnojnë përbëhet nga një grup djem e vajzash të reja që kanë kryer universitetin dhe janë rekrutuar për të shërbyer si pjesë e bërthamës së Byrosë Kombëtare të Hetimit shqiptar.
Byroja Kombëtare e Hetimit do të nisë nga puna menjëherë sapo të fillojë vlerësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve aktualë nga dy institucionet e vettingut dhe Grupi Ndërkombëtar i Monitorimit. Ndërkaq, më fillim të muajit të ardhshëm hyn në fuqi edhe institucioni i Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Speciale.
Byroja Kombëtare e Hetimit ka për detyrë të ndjekë dhe hetojë krimet e korrupsionit, pastrimit të parave dhe përfshirjen e krimit të organizuar në lidhjet e saj me politikën dhe elementë të administratës shtetërorë.