Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti të gjitha bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë arritur ta realizojnë një profit neto prej 36.9 milionë eurosh, apo 6.4 milionë euro më shumë sesa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak
Vetëm gjatë 5 muajve të parë të këtij viti bankat komerciale që operojnë në Kosovë, e ku pjesa dërmuese e tyre janë me kapital të huaj, kanë arritur ta realizojnë një profit prej hiç më pak se 36.9 milionë euro. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak shihet se bankat kanë rritur profitin prej më shumë se 6.4 milionë euro.
Bazuar në statistikat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se nga fillimi i viti deri në fund të muajit maj bankat komerciale kanë pasur 96.7 milionë euro të hyra, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak të hyrat e bankave ishin për 2 milionë euro më të ulëta, dhkruan “Zeri”.
“Të hyrat nga interesi nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit maj kanë qenë 72.5 milionë euro. Shpenzimet e interesit gjatë kësaj periudhe kohore kanë qenë 7.1 milionë euro, derisa shpenzimet gjenerale administrative kanë qenë 41.4 milionë euro”, thuhet në raportin e Bankës Qendrore të Kosovës.
Sipas raportit të BQK-së, shihet se gjatë kësaj periudhe raportuese norma e interesit në kredi ka qenë 6,8 %, derisa norma e interesit në depozita ka mbetur edhe më tutje në 1 për qind.
Gjatë këtij viti po ashtu me sukses janë duke punuar edhe institucionet mikrofinanciare, të cilat për pesë muaj kanë arritur ta krijojnë një profit prej 3.1 milionë euro.
Po ashtu, janë duke punuar me profit edhe kompanitë e sigurimeve, ndonëse te njëjtat gjatë viteve të kaluara në vazhdimësi kishin raportuat humbje prej dhjetëra miliona euro. Sipas të dhënave të BQK-së shihet se nga fillimi i vitit e deri në fund të muaji maj të hyrat e sigurimeve kanë arritur në 18.4 milionë euro, dëmet e ndodhura janë 8 milionë euro, shpenzimet 8.9 milionë euro, derisa profiti neto i të gjitha kompanive të sigurimeve në vendin tonë ka qenë 900 mijë euro.