Dështon marrëveshja e re me FMN-në, Kosova humb 16 milionë euro

Republika e Kosovës do të humb 16 milionë euro kredi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi që më 4 gusht përfundon një marrëveshje ekonomike më këtë Fond, bëjnë të ditur zyrtarë të Qeverisë në largim të Kosovës.

Për shkak të mosformimit të institucioneve të reja, autoritetet në Prishtinë nuk kanë mundësi që të negociojnë me FMN-në për ndonjë program të ri, shkruan REL.

Republika e Kosovës kishte arritur një marrëveshje ekonomike me Fondin Monetar Ndërkombëtar në vitin 2015, në vlerë prej rreth 185 milionë euro, në kohëzgjatje prej 22 muajsh. Afati i kësaj marrëveshjeje skadon më 4 gusht të këtij viti.

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se kjo marrëveshje nuk ka mundësi të vazhdohet dhe të negociohet për program të ri, pa formimin e Qeverisë së re.

“Rreth 16 milionë euro nuk mund të merren kredi. Misioni i FMN-së është dashur të vijë në muajin qershor. Por, për shkak të zgjedhjeve nuk ka ardhur. Pa pasur rishikim të katërt të marrëveshjes, nuk mund të merren këto kredi”, tha Krasniqi.

Krasniqi, ndërkaq thotë se mosprania e Kosovës në programet e FMN-së, humb besueshmërinë e Republikës së Kosovës karshi institucioneve tjera financiare ndërkombëtare dhe investitorët ndërkombëtarë.

“Nëse nuk je në program humb kredibiliteti, besueshmëria edhe tek investitorët tjerë. Këto janë çështje të lidhura me njëra-tjetrën. Për arsye se raportet e një shteti, në këtë rast raportet e Kosovës me FMN-në, vlerësohet kredibiliteti edhe qëndrueshmëria e financave publike”.

Ekspertë për çështje ekonomike në Kosovë, ndërkaq thonë se dështimi i marrëveshjes së re me Fondin Monetar Ndërkombëtar, rrezikon realizimin e projekteve të parapara me ato kredi.

Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odës Ekonomike Amerikane, thotë se ky është edhe një sinjal për nevojën e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit.

“Nëse marrëveshja në fjalë ka paraparë ndonjë grant financiar ose infuzion financiar për shtetin e Kosovës, atëherë natyrisht se ajo që mund të rrezikohet është mosrealizimi i ndonjë projekti, financimi i të cilit është paraparë më mjete të FMN-së”, tha Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Programi i fundit i Qeverisë se Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, ishte për të ndërmarrë reforma për përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe të fuqizimit të pozitën së saj.

Ndryshe, marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar i kanë ndihmuar Kosovës që të marrë kredi me kushte shumë të volitshme, si nga Banka Botërore dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, vlera e të cilave ka arritur në 400 milionë euro.

Kosova, në vitin 2009 është anëtarësuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar, kurse në muajin qershor po të këtij viti, është anëtarësuar edhe në Bankën Botërore.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme