SHBA-të morën vendim për të zbatuar sanksione ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, pas votimit popullor të mbajtur të dielën në këtë vend për Asamblenë kushtetuese
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë marrë vendimin për të zbatuar sanksione ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, pas votimit popullor të mbajtur të dielën në këtë vend për Asamblenë kushtetuese për rishkrimin e kushtetutës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga Byroja e Kontrollit të Aseteve të Huaja (OFAC) pranë Departamentit Amerikan të Thesarit bëhet e ditur se sanksionet ndaj Maduros vijnë si rezultat i përpjekjeve të tij për të krijuar një regjim autoritar.
Sipas deklaratës, votimi i mbajtur dje për Asamblenë kushtetuese synon të marrë të drejtat kushtetuese të Kuvendit Nacional.
“Ky votim përfaqëson një copëtim të rendit kushtetues dhe demokratik në Venezuelë. Qeveria e Maduros e realizoi votimin për Asamblenë kushtetuese edhe pse popullata e vendit dhe qeveritë demokratike në botë ishin kundër. Formimi i Asamblesë Kushtetuese vjen pas përpjekjeve disavjeçare të Maduros për ta gërryer demokracinë dhe sundimin e ligjit në Venezuelë”, thuhet në deklaratë.