Faktori ndërkombëtar nuk ka më asnjë barrierë politike për Lëvizjen Vetëvendosje që të formojë Qeverinë e re të Kosovës, ka deklaruar Albin Kurti, kandidat i kësaj Lëvizje për postin e kryeministrit. Këto komente, ai i bëri pas regjistrimit si deputet në Kuvendin e Kosovës.
Sipas Kurtit, qëndrimi i faktorit ndërkombëtar është se Qeverinë e formon ai subjekt apo ato subjekte politike që e krijojnë shumicën në Kuvendin e Kosovës. Sidoqoftë, Kurti tha se shansin e parë për formimin e Qeverisë e ka koalicioni PAN. Por, sipas tij, PAN do të dështoj dhe në shansin e dytë dhe Qeverinë do ta formojë Lëvizja Vetëvendosje.
Ai ka thënë se ditëve të fundit ka takuar disa prej diplomatëve ndërkombëtar të akredituar në Prishtinë me të cilët ka diskutuar për sfidat e seancës konstituive të Kuvendit. Në lidhje me seancën konstituive, Kurti tha se Kryetari i Kuvendit duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe kurrsesi kontrovers siç ishte kryetari i legjislaturës paraprake, duke aluduar në Kadri Veselin.