Pasi shteti synonte ta shpronësonte më qëllim të zgjerimit të mihjes së re prej nga do të furnizohej me qymyr termocentrali i ri, në këtë zonë ishte ndaluar ndërtimi.
Mirëpo, edhe pas këtij vendimi në këtë pjesë ndërtimet e shtëpive kanë vazhduar.
Për shkak të këtyre ndërtimeve problem është pamundësia e shfrytëzimit të resurseve të thëngjillit që gjenden në fshatrat Shipitullë dhe Hade. E kjo për pak kohë mund ta çoj vendin në një krizë të thellë energjetike.
Në lidhje me këtë, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se dështimi i KEK-ut për të arritur marrëveshje me banorët për zhvendosje e ka sjellë vendin deri te kriza e mundshme energjetike.
Zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Skënder Bucolli i ka thënë lajmi.net se KEK është duke analizuar në vazhdimësi situatën rreth rezervave aktuale.
“Momentalisht ju njoftojmë, KEK është duke analizuar në vazhdimësi situatën rreth rezervave aktuale, por afati i shpenzimit të tyre varet tani kryekëput nga ekspeditiviteti i institucioneve përgjegjëse në kryerjen e detyrave të tyre pas vendimit të Qeverisë. Dje dhe sot, të gjitha institucionet duke përfshirë edhe KEK-un kanë harmonizuar një plan të veprimit i cili nëse realizohet sipas premtimeve do të mundësonte një zhbllokim të situatës aktuale dhe rifillimin e heqjes së djerrinës. Në këtë plan po punohet në të gjitha mundësit që japin ligjet në fuqi”, ka thënë Bucolli.
Sipas tij, në bazë të vlerësimit të fundit, duke marr parasysh rezervat e mbetura, KEK-u është duke punuar një plan rezervë në gjendjen ekzistuese për prodhimin e energjisë elektrike sipas bilancit dhe planit të dakorduar me institucionet qeveritare.
“Gjate javës së ardhshme do të dalim me propozimin e azhurnuar të planit të punës së njësive”, ka potencuar Bucolli.
Anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë dhe Industri, Enver Hoti ka thënë për lajmi.net, se këto veprime kanë ndodhur për shkak të mosreagimit të institucioneve në kohën e duhur.
“Ndërtimet pa leje nuk kanë të ndalur kanë ndodhur në të gjitha qeveritë qendrore dhe ato lokale. Ka nëpër qytete të mëdha dhe nëpër vende ku ka shprehje të interesit të madh financiar. Mendoj që këto veprime kanë ndodhur pasi institucionet nuk kanë reaguar në kohën e duhur”, ka thënë Hoti.
Sipas tij, nuk është asgjë risi pasi është thjesht një neglizhencë e organeve kompetente për të parandaluar dhe për të marrë masat me kohë e për të mos pasur obligim se mund të shtohet kostoja e këtyre zonave.