Në të ashtuquajturin dialog të brendshëm të Serbisë për Kosovën tashmë kanë filluar akuzat e kundër akuzat ndërmjet personaliteteve më të njohura politike serbe, transmeton Koha.net.
Kështu, pas akuzave të djeshme të kryetarit serb Aleksandar Vuçiq se ish- kryetari i Serbisë Boris Tadiq kishte premtuar karrige për Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe se shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë në kohën presidenciale të tij, është përgjigjur lideri i SDS-it (Partia Demokratike e Serbisë) Tadiq.
Ai, në një reagim të vetin që e ka transmetuar tanjug, ka thënë se është gënjeshtër që “unë angazhohem që Kosova të marrë ulësen në KB”, ndërsa ka shtuar se Kosova po shkon drejt pavarësisë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe për këtë, siç ka thënë ai në reagimin e vet, e “këshilloj Vuçiqin të gjejë një mes zgjidhje në vend të njohjes formale të pavarësisë së Kosovës”.
Tadiq ka theksuar se Vuçiq ka ardhur në pushtet me premtimin se do të do të anulojë të gjitha ato që pushteti paraprak kishte para biseduar me Prishtinën.
Sipas reagimit, Tadiq ka përkujtuar se plani i tij katërpikësh që e kishte paraqitur në vitin 2011, kur kishin filluar negociatat me Kosovën, kishte siguruar pushtetin gjyqësor e ekzekutiv për veriun e Kosovës dhe autonominë personale për serbët që jetojnë në jug të Ibrit, e jo, ka thënë ai, pranimin e sistemit të gjyqësisë të Kosovës së pavarur nga Vuçiq e Daçiq, që është bazë e marrëveshjeve të Brukselit.
© KOHA