Ekrani i madh i kinemasë së qytetit të Gjakovës, i cili nuk është ndezur asnjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, shumë shpejt pritet të vihet në shërbim të adhuruesve të filmit. Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport e kësaj komune ka përzgjedhur kompaninë “Cacoo” për funksionalizimin e kësaj hapësire.
Nëpërmjet një ankandi publik e ka përzgjedhur këtë kompani, midis tri ofertave. Objekti në të cilin do të shfaqen filma është pjesë e pallatit të kulturës “Asim Vokshi”, aty ku dikur kishte qenë edhe Kinemaja e Qytetit me këtë emër, funksionale deri në vitet e paraluftës. Pos kësaj, në atë kohë ky qytet kishte pasur edhe një tjetër kinema, atë me emrin “Hysni Zajmi” e njohur edhe si Kinemaja e Vjetër, objekti i së cilës nuk ekziston më.
Pas luftës përpjekjet për ta rifunksionalizuar kinemanë “Asim Vokshi” nuk kishin rezultuar të suksesshme.