Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) nuk ka marrë pjesë në seancën e djeshme, në të cilën pritej të zgjidhej kryetari i Kuvendit. Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së Adem Mikullovci, ndonëse kishte thirrur seancën në orën 10:00 u detyrua ta përfundonte atë disa minuta pasi kishte filluar.
Kjo meqë në sallë ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe të koalicionit LDK-AKR-Alternativa (LAA), por jo edhe ata të PAN-it. Andaj, pas konsultimit të kryesuesit Adem Mikullovci me LVV-në dhe me LDK-në seanca u ndërpre përfundimisht.
Me këtë rast u vendos që në orën 12:00 të mbahej një takim konsultativ me të gjitha grupet parlamentare për ta caktuar vazhdimin e saj.
Në këtë mbledhje, e cila zgjati më shumë se një orë, mori pjesë edhe koalicioni PAN, mirëpo sërish nuk pati dakordim mes partive politike. Kjo pasi koalicioni fitues kërkoi që të mërkurën të mbahet sërish mbledhje konsultative. Por pas këtij vendimi reagoi LVV-ja, e cila tha se nuk do të marrë pjesë në atë takim. Ndërkaq, LAA-ja konsideroi se një zvarritje e tillë po bëhet kryekëput për mungesë të numrave. /zeri/