Kadri Veseli doli si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës natën kur gjatë ditës kur Kuvendi dështoi të konstituohet pikërisht për shkak të mungesës së PAN-it dhe dha një intervistë për televizionin publik.
Aty ai tregoi dhe premtoi diçka që prekte direkt arsyen përse kishte dështuar seanca: zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, që ishte ai si kandidaturë.
Veseli tha se se ai mund të ofrojë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të ecet përpara me formimin e Qeverisë.
Sipas tij, një gjë të tillë do ta bëjë për t’i hapur rrugë zgjedhjes së Ramush Haradinajt kryeministër, po në të njëjtën ditë kur zgjidhet kryetari i Kuvendit.
“Unë i thërras publikisht, le të mbajnë fjalën, që brenda ditës së nesërme lë të dalin e të thonë se Kadri Veseli është pengesë, unë për hir të institucioneve dhe të Kosovës do ta ofroj një kandidat tjetër për kryeparlamentar, por në të njëjtën ditë ta votojnë Qeverinë e Kosovës dhe Ramush Haradinajn për kryeministër”, tha Veseli.
Kjo ishte kërkesë që të gjitha partitë e taborit kundër PAN, LAA dhe Vetëvendosje e kishin thënë: nuk e votojnë Veselin për kryetar dhe as Haradinajn për kryeminsitër.
Tash kur dy deputetët nga tabori opozitar LAA kanë konfirmuar votën për Haradinajn, edhe loja e PDK-së ka ndryshuar sa i përket kandidaturës së Veselit.
Tash në PDK thonë se Veseli nuk e ka ndërmend të tërhiqet.
Sipas nënkryetarit të PDK-së, Rexhep Hoti, PAN-i do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së kryesuesit të seancës konstituive, Adem Mikullovci.
Për më tepër, bazuar në atë që ka thënë Hoti në një bisedë për televizionin 21, Kadri Veseli nuk është tërhequr nga posti i të parit të Kuvendit.
Hoti ka thënë se PAN ka arritur të sigurojë tashmë votat që do ta bëjnë Veselin kryeparlamentar e Haradinajn kryeministër. Hoti është i bindur se të enjten Kadri Veseli do të zgjidhet kryetar i Kuvendit, kurse Ramush Haradinaj kryeministër.
“Të enjten presim zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe ai është Kadri Veseli. Janë numrat dhe Veseli të enjten zgjidhet kryetar i Kuvendit”, tha ai.
Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, thotë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë një ofertë për votimin e institucioneve duke u tërhequr nga kandidatura për kryeparlamentar, me kusht që LAA dhe VV ta votojnë kandidatin tjetër të PAN-it dhe Haradinajn për Kryeministër.
Hoti ka thënë se deri të mërkurën LVV e LAA kanë kohë të japin përgjigje për këtë ofertë./Insajderi.com